Bota

Frika mbërthen Palermon! Bossët e MAFIAS po dalin nga burgu për "sjellje të mirë", familjet e viktimave në ankth

Për ironi, ata janë liruar me leje ose për sjellje të mirë.

k.m.
Frika mbërthen Palermon! Bossët e MAFIAS po dalin nga burgu për
Foto ilustruese

ITALI- Familjet e viktimave të vrarë nga mafia siçiliane kanë shprehur frikën se më shumë se 20 mafiozë janë liruar gjatë 3 muajve të fundit dhe tashme janë rikthyer në lagjet që dikur i kontrollonin. Shumica e këtyre bosëve, disa prej të cilëve mbanin role drejtuese në familjet kryesore mafioze të kryeqytetit të Siçilisë, Palermos, nuk e kanë mohuar kurrë pjesëmarrjen me Cosa Nostra-n, madje dhe kanë refuzuar të bashkëpunojnë me autoritetet gjyqësore.

Për ironi, ata janë liruar me leje ose për sjellje të mirë.

Salvatore Borsellino, vëllai i gjyqtarit legjendar antimafia Paolo Borsellino, i cili u vra nga organizata kriminale Cosa Nostra në vitin 1992, tha: Lirimi nga burgu i mafiozëve që kanë refuzuar gjithmonë të bashkëpunojnë me drejtësinë është gjithmonë jashtëzakonisht i rrezikshëm. Është një goditje fatale për luftën kundër mafies.

Nino Morana Agostino, nipi i oficerit të policisë Nino Agostino, i cili u qëllua për vdekje në vitin 1989, së bashku me gruan e tij, Ida, e cila ishte në muajin e pestë shtatzënë, tha për gazetën "la Repubblica": Nuk duhet të ulim vigjilencën në luftën  kudnër mafias. As nuk duhet t'i nënvlerësojmë! Mafiozët që ishin dënuar me burgim të përjetshëm, tani janë në liri, ndërkohë që mbajnë ende sekrete për vrasje të pazbardhura. Kjo është arsyeja pse lirimi i tyre dërgon një sinjal të keq.

Në tetor, Raffaele Galatolo, 74 vjeç, u lirua sepse Gjykata e shpalli "të burgosur model" për sjelljen e tij të mirë. Galatolo dhe vëllai i tij Vincenzo, të cilët të dy u dënuan për vrasje, ishin drejtuesit e të ashtuquajturës "dhoma e vdekjes", një dhomë ku viktimat vriteshin me urdhër të bosit të atëhershëm të mafies siciliane, Salvatore "Totò" Riina. Pas vdekjes së Vincenzos, Raffaele mbeti "trashëgimtari" i vetëm i familjes mafioze të Acquasanta-s.

Një javë më parë, Giuseppe Corona, i cili ishte në paraburgim në pritje të gjyqit që nga viti 2018 u lirua gjithashtu për shkak të shtyrjes së datës për të dalënë gjyq. Në fillim të tetorit, Gjykata e Apelit të Palermos kishte liruar 9 "bosë" të lidhur me Matteo Messina Denaron, i arrestuar në janar 2023 pas 30 vitesh në arrati. Por, edhe pse u arrestua, ai vdiq në shtator të të njëjtit vit pa rrëfyer asnjë ngjarje.

Federico Varese, një profesor i kriminologjisë në Universitetin e Oksfordit dhe autor i Mafia Life tha për "The Guardian": Ndryshimet e fundit në ligjin italian lejojnë bosët që kurrë nuk hoqën dorë nga e shkuara e tyre dhe nuk dëshmuan kurrë, të përfitojnë nga "sjellja e mirë". Autoritetet e burgut nuk po konsultohen me prokurorët për të kuptuar se sa i rrezikshëm mund të jetë kthimi i tyre në terren, por thjesht iu japin të drejtën e lirisë. Kthimi i tyre masiv në terren do ta bëjë më të lehtë riorganizimin e Cosa Nostra-s. Gjithashtu, prania e tyre në zonë dërgon një mesazh mosndëshkimi.

Frika e prokurorëve dhe familjeve të viktimave vjen kryesisht për faktin se shumë prej këtyre bosëve kanë refuzuar të bashkëpunojnë me autoritetet, duke lënë të kuptohet se nuk kanë pendesë për aktet që kanë kryer dhe se kanë ende interes të jenë pjesë e botës së krimit.

"Këta mafiozët dalin nga burgu dhe rimarrin pushtetin. Madje kanë më shumë respekt dhe prestigj sepse, edhe pse kanë qenë në burg, nuk kanë folur kurrë për bashkëpunëtorët e tyre,"-tha Borsellino.

Të njëjtin shqetësim ka edhe Varesse.

“Hyrja në mafian siciliane është e përjetshme dhe kjo ndodh përmes një rituali. Në ritual, një foto e djegur e një shenjtori u lihet në duar dhe u thuhet: Do digjesh si kjo foto nëse tradhton ose përpiqesh të largohesh nga kjo organizatë. Mund të largohesh vetëm i vdekur, ose i dëbuar nëse zgjedh të bashkëpunosh me drejtësinë. Pra, ata që po rikthehen në lagjet e Palermos dhe Trapanit kanë shumë gjasa që të rifillojnë aktivitetet e tyre mafioze.”/ZËRI

Poll

MOS HUMB