
SHBA- Anëtarët e Ekipit Luftarak të Brigadës së 79-të të Këmbësorisë kanë mbërritur në rrugët e Los Anxhelosit. Kështu njoftoi Pentagoni në rrjetet sociale duke publikuar edhe foto të dhjetëra anëtarëve të Gardës Kombëtare që shfaqeshin të armatosur me armë zjarri dhe me automjete të blinduar. Këto janë njësi ushtarake të trajnuara dhe të gatshme për të vepruar në situata potencialisht të tensionuara dhe të parregullta, me fokus në kontrollin e turmës, mbështetjen logjistike dhe sigurinë operacionale.
Deri tani, protestat po kontrolloheshin nga Policia e Los Angeles. Në pranga kanë përfunduar 29 persona, por mediat e huaja paralajmërojnë për protesta të tjera. Një zyrtar i lartë i administratës së Los Angeles i tha CBS se anëtarët e Gardës Kombëtare të dërguar nga Donald Trump janë vendosur rreth ndërtesave federale në qendër të qytetit.
Presidenti Donald Trump urdhëroi dje vendosjen e 2,000 trupave për të përmbajtur trazirat që kanë pushtuar ditët e fundit shtetin e Kalifornisë. Përleshjet shpërthyen dje për të dytën ditë radhazi në pjesë të qytetit me popullsi kryesisht latino-amerikan. E gjitha nisi për shkak të kontrolleve që u ushtrua në qytet për të kapur dhe larguar nga vendi emigrantët pa dokumente./ZËRI