IZRAEL- Ministri i Mbrojtjes i qeverisë izraelite i ka urdhëruar Ushtrinë që të parandalojë misionin e aktivistëve - përfshirë Greta Thunberg - të cilët po përpiqen të thyejnë bllokadën e Rripit të Gazës me anijen "Madleen". Me urdhër të prerë, qeveria izraelite ka urdhëruar që të ndalohet anija.
“E kam udhëzuar IDF-në të veprojë në mënyrë që Madleen të mos arrijë në Gaza. Gretës antisemite dhe miqve të saj, u them qartë dhe prerë: Duhet të ktheheni prapa, sepse nuk do të arrini në Gaza. Shteti i Izraelit nuk do të lejojë askënd të shkelë bllokadën detare të Gazës, qëllimi kryesor i së cilës është të parandalojë transferimin e armëve te Hamasi, një organizatë terroriste vrasëse që mban pengje dhe kryen krime lufte,”-tha Katz.
Misioni i Madleen u organizua nga organizata "Freedom Flotilla" dhe midis 12 aktivistëve që janë në bordin e anijes, përveç Greta Thunberg, janë edhe aktivisti brazilian Thiago Avila dhe Rima Hassan, një anëtare franko-palestineze e Parlamentit Evropian.
Ndërkohë që një anëtar i ekuipazhit, në një mesazh të postuar në rrjetet sociale, njoftoi se Izraeli kishte filluar të ndërpriste komunikimet e anijes. Madje shtoi se kishin ndjesinë që po përgatiteshin edhe për një operacion ushtarak kundër tyre.
"Ata po bllokojnë komunikimin tonë në mënyrë që të përgatiten për një sulm. Ju lutem ndani këtë informacion dhe mobilizohuni për të ushtruar presion mbi ta që të ndalojnë kryerjen e një krimi lufte,"- tha ai.
Sipas informacionit, anija me ndihma humanitare po lundron 165 milje larg bregdetit të Gazës dhe ende nuk ka mbërritur në destinacion./ZËRI