PRISHTINË- Pas lirimit nga paraburgimi, këngëtari Besart Kelmendi, i njohur me emrin e artit si Gjesti, ka reaguar për herë të parë përmes një postimi në rrjetet sociale. Gjesti shprehet se kjo periudhë nuk ka qenë e lehtë për të dhe i quan të gabuara veprimet e tij. Këngëtari shton se është penduar për ngjarjen e ndodhur.
Më tej, Gjesti shprehet se edhe në momente të vështira, do të vazhdojë karrierën e tij muzikore, duke premtuar se do t’i postojë këngët në rrjetet e tij sociale.
Ndërkohë, ai shton se ka nisur procedura ndaj kompanisë muzikore për keqtrajtimin dhe borxhet që ka ndaj tij, ndër vite.
“Periudha e fundit nuk ka qenë më e lehta për mua, edhe po e ndiej të nevojshme me adresu çka ka ndodh. Fillimisht po du me pranu që kom bo gabim edhe kërkoj falje për shqetësimin që e kom shkaktu te stafi. M’vjen shumë keq edhe jam shumë pishmon. Unë nuk jam njeri i tillë edhe veç një torturë e madhe që nuk u nal kurr ka mujt me m’pru në atë gjendje. Faleminderit prej zemrës për krejt mesazhet dhe mbështetjen, m’keni jep forcë në momente të vështira. Një falënderim i veçantë shkon për avokatët e mi, Burimi Azemin dhe Artan Serkinin, për profesionalizmin edhe përkrahjen e vazhdueshme. Në bashkëpunim me labele, menaxhmentin edhe avokatët tonë në Britani, kemi nis procedura ndaj kompanisë Onima për krejt keqtrajtimet ndër vite, borxhet (tu e përfshi edhe borxhin aktual), mundësitë e humbuna dhe dëmet e shkaktume. Ka shumë sene që hala nuk i dini, po që keni me i kuptu shumë shpejt. Muzikën s’mundet me ma nal kërkush, sidomos jo njerëzit edhe kompanitë që e kanë për qëllim me i shkatërru artistat edhe me njollos industrinë e muzikës. Gjatë kësaj kohe që jemi në gjyq, nëse koft nevoja, edhe veç në TikTok e Instagram kom me i postu kangët e mia, e pa muzikë s’ju lo. Ju du shumë! Drejtësia ka me fitu, si gjithmonë”, shkruan Gjesti.

Gjesti u arrestua më datë 11 mars në Prishtinë nën dyshimin për armëmbajtje pa leje. Policia njoftoi se ai u ndalua në rrugën “Mehmet Isahi”. Sipas hetimeve, Kelmendi dyshohej për disa vepra penale, përfshirë “Kanosje”, “Asgjësim apo dëmtim të pasurisë” si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Megjithatë, pasi qëndroi një javë në paraburgim, masa e sigurisë ndaj tij është ndryshuar, duke i mundësuar lirimin dhe vijimin e procedurës në gjendje të lirë./ZËRI

