
HAGË- Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër-arrest për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant. Kërkesa për arrestimin e politikanëve izraelitë është bërë pasi ICC i cilëson si të dyshuar për "krime lufte" dhe "krime kundër njerëzimit në Gaza".
Një urdhër tjetër është lëshuar për arrestimin e liderit të Hamasit, Mohammed Diab Ibrahim al Masri. Al Masri, i njohur gjithashtu si Mohammed Deif, cilësohet si personi që qëndron pas organizimit të sulmeve të 7 tetorit në Izrael. Gjykatësit thanë se kishte "arsye të arsyeshme" që të tre të pandehurit të mbajnë "përgjegjësi penale" për krimet. Por si Izraeli, ashtu edhe Hamasi i kanë hedhur poshtë akuzat.
Tani do t'i mbetet 124 vendeve anëtare të ICC - të cilat nuk përfshijnë Izraelin apo aleatin e tij, Shtetet e Bashkuara - të vendosin nëse do t'i zbatojnë ose jo urdhëresat e Gjykatës. Në maj, prokurori i ICC-së, Karim Khan, kërkoi urdhër për Netanyahu, Gallant, Deif dhe dy liderë të tjerë të Hamasit, të cilët janë vrarë që atëherë, Ismail Haniyeh dhe Yahya Sinwar. Edhe pse Izraeli beson se Deif është vrarë gjithashtu, gjykatësit u shprehën se nuk ishin në gjendje të konfirmonte vdekjen e tij.
Lufta nisi më 7 tetor 2023, kur persona të armatosur të Hamasit sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë 251 të tjerë në Gaza si pengje. Izraeli iu përgjigj sulmit duke nisur një fushatë ushtarake për të eliminuar Hamasin, gjatë së cilës janë vrarë të paktën 44,000 njerëz në Gaza./ZËRI