HAMAS-Situata në Lindjen e Mesme vijon të jetë e tensionuar, mes luftës dhe krizës për uri në Gaza. Hamasi ka rikonfirmuar qëndrimin e tij të palëkundur sa i përket dorëzimit të armëve. Steve Witkoff tha se Hamasi ishte i përgatitur të çarmatosej për t'i dhënë fund luftës, megjithëse grupi ka thënë vazhdimisht se nuk do t'i dorëzojë armët.
Hamasi, i cili ka dominuar Gazën që nga viti 2007, por është goditur ushtarakisht nga Izraeli në luftë, tha se nuk do të heqë dorë nga "rezistenca e armatosur" nëse nuk krijohet një "shtet palestinez i pavarur dhe plotësisht sovran me Jerusalemin si kryeqytet", raporton Reuters.
Negociatat indirekte midis Hamasit dhe Izraelit që synonin zbatimin e një armëpushimi 60-ditor në luftën e Gazës dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve përfunduan javën e kaluar pa asnjë rezultat. I dërguari i Presidentit Donald Trump për Lindjen e Mesme u tha familjeve të pengjeve që mbahen nga grupi militant palestinez Hamas se po punonte me qeverinë izraelite për një plan që do t'i jepte fund në mënyrë efektive luftës në Gaza./ZËRI