
AMSTERDAM- Haribo po tërheq nga tregu pako me ëmbëlsira në Holandë, pasi disa prej tyre kishin gjurmë kanabisi. Disa persona, përfshirë disa anëtarë të një familjeje, raportuan se ndiheshin keq pasi hëngrën nga një pako "1 kg Haribo Happy Cola F!ZZ". Sipas BBC, një zëdhënës i organit të sigurisë ushqimore në Holandë (NVWA) tha se disa kishin raportuar "marrje mendsh" pasi kishin ngrënë ëmbëlsirat. Agjencia i tha transmetuesit holandez "SBS6" se pas raportimeve, morën mostra dhe në to u gjet kanabis.

Një zëdhënës i Haribo i tha BBC-së se po punonte me Policinë për të përcaktuar sesi ka ndodhur kontaminimi.
NVWA tha se tre pako u gjetën të kontaminuara, por Haribo po tërheq të gjithë stokun e saj e shpërndarë në treg si masë paraprake. Kjo, edhe pse produkti ka datë skadimi deri në janar 2026. E njëjta agjensi shtoi se Policia po hetonte se si kishte përfunduar kanabisi në ëmbëlsira.
"Mos i hani ëmbëlsirat,"-ka bërë thirrje NVWA.
Haribo tha se siguria e konsumatorëve të saj ishte përparësia e saj kryesore, duke shtuar se po e merrte incidentin "shumë seriozisht". Por po ashtu, shtuan se tërheqja e produkteve po bëhej vetëm në Holandë, ndërsa shtete të tjera nuk u prekën.
"Të gjitha produktet e tjera janë të sigurta për t’u konsumuar,"- thotë kompania.
Edhe pse hetimet kanë nisur, ende nuk është e qartë se sa njerëz janë sëmurë./ZËRI