
CETINJË- Të paktën 12 persona, mes tyre dy fëmijë, janë vrarë dje në Cetinjë në Malin e Zi, ndërsa katër persona të tjerë janë plagosur. Autori i kësaj ngjarje të rëndë, Aco Martinoviç, ka kryer vetvrasje.
Vrasjet janë kryer në zona të ndryshme, si fillim ai ka vrarë dy persona, më pas katër të tjerë, dhe para se të kryente vetëvrasjen ekzekutoi dy fëmijë dhe dy persona të tjerë. Ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviç, tha në një konferencë se motivi i vrasjeve është i panjohur, pasi viktimat ishin miq dhe kumbara të Martinoviqit.

Si fillim ai vrau katër persona në një lokal, ku ndodhej me ta për të festuar Vitin e Ri, ndërsa plagosi katër të tjerë. Kryeministri malazez, Millojko Spajiç e ka përshkruar rastin si tragjedi të tmerrshme. Ai ka njoftuar ashpërsimin e kritereve për mbajtjen e armëve.
“Do të shqyrtojmë ndalimin e plotë të mbajtjes së armëve”, tha Spajiç.
“Martinoviç ishte dënuar me kusht në vitin 2005 për dhunë me një vit burg, por nuk është konsideruar si person me interes për sigurinë”, tha Sharanoviç.
Ai shtoi se në vitin 2022 tek ai u gjetën armë dhe eksploziv, ku u dënua me 3 muaj burg. Qeveria e Malit të Zi i ka shpallur tri ditë zie, më 2,3 dhe 4 janar. Koncertet për shënim të Vitit të Ri janë anuluar në Podgoricë, Budvë dhe Kotor, ndërsa kryeministri Spajiq u ka bërë thirrje edhe komunave tjera që t’i anulojnë organizimet e jashtme. /ZËRI