ANKARA- Një raketë balistike iraniane është lëshuar drejt hapësirës ajrore turke. Lajmi u bë i ditur nga ministria turke e Mbrojtjes. Po ashtu, në një artikull, media amerikani CNN thekson se sipas dy burimeve të njohura me situatën, raketa iraniane e drejtuar për në Turqi u rrëzua nga një Destrojer i Marinës Amerikane në Detin Mesdhe, pjesë e sistemit të mbrojtjes ajrore të NATO-s.
Ndërkaq ambasadori iranian në Turqi u thërrit në Ministrinë e Jashtme turke për të sqaruar incidentin që përfshin raketën e lëshuar nga regjimi i Teheranit dhe të kapur nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s ndërsa po shkonte drejt hapësirës ajrore turke. Sipas raportit, qeveria turke i përcolli ambasadorit iranian shqetësimet e saj në lidhje me përhapjen e konfliktit në të gjithë rajonin. Ankaraja nuk ka marrë pjesë në konflikt dhe nuk ka dhënë përdorimin e hapësirës ajrore dhe bazave të saj në tokën e saj për operacione ushtarake.
Mbrojtja ajrore e NATO-s në Mesdheun lindor rrëzoi raketën, e cila kaloi nëpër hapësirën ajrore të Irakut dhe Sirisë. Deri më tani nuk ka raportime për viktima ose të lënduar. Pas këtij incidenti njoftohet se Turqia do të komunikojë me NATO-n dhe aleatët e tjerë.
“Ndërsa Turqia mbështet stabilitetin dhe paqen rajonale, ajo është plotësisht e aftë të mbrojë territorin dhe qytetarët e saj, pavarësisht nga burimi ose origjina e çdo kërcënimi. Të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur territorin dhe hapësirën tonë ajrore do të ndërmerren me vendosmëri dhe pa hezitim. Ne përsërisim se e drejta jonë për t’iu përgjigjur çdo akti armiqësor të drejtuar kundër vendit tonë është e rezervuar. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet që mund ta përshkallëzojnë më tej konfliktin në rajon”, thuhet në reagimin zyrtar./ZËRI