Bota

Ish-ministri serb: Veprimet e SHBA-së në Venezuelë janë si bombardimet e NATO-s ndaj Jugosllavisë në 1999

Sipas tij, sulmi dhe rrëmbimi i një presidenti janë paralajmërim për vendet jo-bërthamore.

l.k
Ish-ministri serb: Veprimet e SHBA-së në Venezuelë janë si
Alekasandar Vulin

SERBI- Ish-ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin, ka krahasuar veprimet e Shteteve të Bashkuara në Venezuelë me bombardimet e NATO-s ndaj Jugosllavisë në vitin 1999.

Në një deklaratë për agjencinë ruse TASS, ai tha se bëhet fjalë për të njëjtën politikë agresive ndaj një shteti sovran. Sipas tij, sulmi dhe rrëmbimi i një presidenti janë paralajmërim për vendet jo-bërthamore. Vulin shtoi se këto vende ose duhet të armatosen fort, ose të heqin dorë nga politikat e pavarura. Ai theksoi se Rusia duhet të punojë për një rend të ri sigurie përballë Perëndimit.

“Bombardimi i një vendi anëtar të Kombeve të Bashkuara dhe rrëmbimi i presidentit të tij është vetëm një paralajmërim për shtetet jo-bërthamore, që ose të armatosen aq shumë sa të bëhen një objektiv shumë i kushtueshëm, ose të braktisin politikën e tyre të pavarur,”- tha Vulin, sipas mediave serbe.

Por kush është Aleksandar Vulin, i sanksionuari i SHBA-së në vitin 2023?

Aleksandar Vulin ka kryer shkollën fillore në Novi Sad dhe gjimnazin në Sremski Karlovci, ndërsa është diplomuar në Fakultetin Juridik në Kragujevc. Karrierën profesionale e nisi në fushën e marketingut dhe medias, ku mbajti poste drejtuese në kompanitë “Super pres” dhe “Color press”, si dhe punoi si kolumnist dhe komentator politik.

Në politikë u angazhua fillimisht në SK-PJ dhe më pas ishte një nga themeluesit e Jugosllavenske Levice (JUL). Në vitin 2008 themeloi Lëvizjen Socialiste, parti që e drejton edhe sot dhe që prej vitit 2010 është në koalicion me Partinë Progresive Serbe.

Gjatë karrierës së tij ka mbajtur disa funksione shtetërore, përfshirë drejtor i Zyrës për Kosovën, ministër i Punës, ministër i Mbrojtjes dhe ministër i Punëve të Brendshme. Në dhjetor 2022 u emërua drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), post nga i cili dha dorëheqje në nëntor 2023, pas sanksioneve nga SHBA në korrik të po atij viti.

Autoritetet amerikane e akuzuan për përfshirje në krim të organizuar, përfshirë lidhje me trafik droge dhe për abuzim me funksionin publik. Sipas tyre, Vulin ka ndihmuar tregtarin e armëve Slobodan Tešić që dërgesat e paligjshme të armëve, që vinin nga vende të ndryshme, përfshirë ish-republikat e ish-Jugosllavisë dhe rajonin e Ballkanit, të lëviznin lirshëm përmes Serbisë.

Hetimet treguan se këto dërgesa ishin ilegjale, sepse nuk regjistroheshin në doganë dhe përpiqeshin të fshiheshin nga autoritetet. Përdorimi i ndikimit politik dhe funksionit publik nga Vulin, sipas SHBA-së, ndihmonte që armët të lëviznin lirshëm përtej kufijve.

Në maj 2024 u emërua zëvendëskryeministër i Serbisë, detyrë që e mbajti deri në prill 2025. Aktualisht mban poste drejtuese në ndërmarrjen publike “Srbijagas” dhe në Këshillin e Shoqatës Historike Ruse në Serbi. /ZËRI

 

Poll

MOS HUMB