SHBA- Edhe 4 ditë kanë mbetur nga takimi i Donald Trump me homologun e tij rus, Vladimir Putin në Alaska. Por dikush mungon dhe është presidenti ukrainas, Volodymir Zelenskyy. Zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance iu përgjigj kritikave të aleatëve evropianë që po ushtrojnë presion që edhe Zelenskyy të marrë pjesë në samitin SHBA-Rusi.
“Një nga pengesat më të rëndësishme është se Vladimir Putin tha se nuk do të ulej kurrë në të njëjtën tryezë me Zelenskyy-n, udhëheqësin ukrainas, dhe presidenti (Trump) ishte në gjendje ta ndryshonte këtë,”- tha J.D. Vance gjatë një interviste me rrjetin televiziv konservator Fox Neës.
Ndërkohë shtoi: Qeveria amerikane po punon për të arritur këtë takim dhe për të caktuar vendin dhe datën se kur këta tre udhëheqës mund të ulen dhe të diskutojnë për përfundimin e konfliktit në Ukrainë.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe fuqive evropiane këmbëngulën dje që Kievi të marrë pjesë në negociatat SHBA-Rusi. Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje gjithashtu aleatëve të tij evropianë, veçanërisht Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat gjithashtu janë lënë mënjanë nga bisedimet, që të dalin me një qasje të përbashkët. Ndaj një "samit i jashtëzakonshëm" online është planifikuar të mbahet midis ministrave të jashtëm të BE-së dhe homologut të tyre ukrainas.
Çfarë mund të presim në Alaska?
Ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, nga ana e tij, la të kuptohej gjithashtu se presidenti ukrainas mund të merrte pjesë në samit.
"Po, besoj pa dyshim se është e mundur. Sigurisht, nuk mund të ketë marrëveshje, përveç nëse të gjitha palët e nënshkruajnë atë. Dhe padyshim që përparësia absolute është t'i jepet fund luftës,"-u përgjigj diplomati amerikan, kur u pyet nga CNN nëse kreu i shtetit ukrainas mund të jetë i pranishëm në Alaska.
Megjithatë, në fund të fundit, Donald Trump do të jetë ai që do të vendosë, paralajmëroi ambasadori i SHBA-së në NATO.
"Nëse ai e konsideron ftesën e Zelenskyy-t si skenarin më të mirë, atëherë do ta bëjë këtë. Por ende nuk është marrë një vendim,"-shtoi ai./ZËRI