KOSOVË- Në Prishtinë u zhvillua sot një protestë kombëtare kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Protesta, e thirrur nga platforma “Liria ka Emër”, po mbahet në sheshin “Skënderbeu”.
Gjatë protestës u regjistruan edhe tensione mes protestuesve. Përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ndërhyri për të qetësuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve mes të pranishmëve.
View this post on Instagram
Tubimi i sotëm vjen pas protestave të zhvilluara gjatë 15 ditëve të fundit dhe synon të shprehë kundërshtimin ndaj vendimit të Gjykatës Speciale, ndërsa data 1 tetor nuk është zgjedhur rastësisht. Sipas organizatorëve, data lidhet me 1 tetorin e vitit 1997, kur u zhvillua protesta studentore në Prishtinë, e konsideruar një nga ngjarjet simbolike të rezistencës paqësore në Kosovë.
Protesta të njëpasnjëshme nisën të zhvillohen pas vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së, vendim që ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe ka rikthyer në qendër të debatit çështjen e procesit gjyqësor në Hagë. Më 16 shtator katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me 81 vite burgim në total nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vite burgim, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, me 18 vite, Rexhep Selimi me 13 vite, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vite burgim./ZËRI