IRAN-Ngushtica e Hormuzit, e cila është itinerari më i rëndësishëm i anijeve për transportin e naftës, nuk do të cënohet nga forcat ushtarake iraniane. Zëdhënësi i forcave të armatosura iraniane, Abolfazl Shekarchi në një deklaratë së fundmi njoftoi se ngushtica kontrollohet prej tyre por nuk do të mbyllet. Shënjestër e sulmeve janë vetëm anijet amerikane dhe ato izraelite.
“Ne e kontrollojmë Ngushticën e Hormuzit, por nuk do ta mbyllim dhe të gjitha anijet mund ta kalojnë atë. Megjithatë, anijet e Shteteve të Bashkuara dhe të Izraelit do të jenë objektiv i forcave të armatosura iraniane. Irani nuk mund të japë asnjë garanci për sigurinë e anijeve të të gjitha vendeve dhe, nëse ato vendosin të kalojnë përmes Ngushticës, përgjegjësia për çdo incident do të jetë e tyre, për shkak të situatës së luftës”,-deklaroi zëdhënësi i forcave të armatosura iraniane, Abolfazl Shekarchi.
Hormuzi midis Omanit dhe Iranit lidh Gjirin Persik dhe shtetet eksportuese të naftës Bahrein, Kuvajt, Katar, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me Oqeanin Indian.
Anijet çisternë mbërrijnë këtu nga shumë vende të botës. Shumica transportojnë naftën bruto nga rajoni i Gjirit Persik për në Europë, Azi dhe Amerikën e Veriut. Pika më e rëndësishme e këtij itinerari është ajo ndërmjet Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit, brezi më i ngushtë me një gjerësi prej 55 kilometrash, dhe korsia e lundrimit për anijet e mëdha është vetëm 3,7 kilometra.