
SHBA- Gazetarja e CNN, Caitlan Collins, u vu në shënjestër të Donald Trump dje, për një sërë pyetjesh që ajo ngriti në lidhje me dëbimin e paligjshëm të një shtetasi të El Salvadorit, për të cilin Gjykata e Lartë vendosi se duhet të kthehej në SHBA. Incidenti ndodhi gjatë vizitës zyrtare të presidentit të El Salvadorit, Nayib Bukele, në Shtëpinë e Bardhë. Trump reagoi ashpër ndaj pyetjes së gazetares nëse Ambrogo Garcia do të kthehej në Shtetet e Bashkuara, duke i dhënë fjalën Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi dhe Zëvendës Shefit të Kabinetit Steven Miller për t'iu përgjigjur. Por nuk harroi të shtonte se CNN ishte një rrjet që deformonte lajmet.
Por gazetarja vazhdoi që të pyeste nëse Garcia do të kthehej në SHBA, duke i kujtuar Trump deklaratën e tij se do të respektonte vendimin e Gjykatës së Lartë. Këmbëngulja e saj e zemëroi më tej presidentin amerikan.
"Sa kohë duhet t'i përgjigjemi kësaj pyetjeje? Pse nuk thua thjesht: A nuk është mirë që i mbajmë kriminelët jashtë vendit tonë? Pse nuk mund ta thuash këtë? Sepse ju insistoni përsëri dhe përsëri - dhe kjo është arsyeja pse askush nuk ju shikon më. Ju nuk keni kredibilitet,"- i tha Trump-gazetares. Caitlan Collins, e cila në moshën 33-vjeçare ka ndërtuar tashmë një karrierë të rëndësishme gazetareske, duke u listuar si një ndër kritiket më të mëdha të Donald Trump, sipas Economic Times. E njohur për pyetjet e saj të vështira dhe aftësinë për të qëndruar e qetë përballë ballafaqimeve, ajo ka qenë vazhdimisht e përfshirë në konfrontime të ashpra me Trump dhe ekipin e tij.
Si filluan konfliktet e saj me Donald Trump?
Collins dhe gazetarë të tjerë nga të ashtuquajturat "media tradicionale" janë vënë vazhdimisht në shënjestër të Donald Trump, i cili i akuzon ata për përhapjen e "lajmeve të rreme". Në një fjalim në Departamentin e Drejtësisë muajin e kaluar, presidenti amerikan tha se ata po shkelin ligjin duke shpërndarë dezinformata. Vetë Collins këmbëngul se është detyra e saj të "bëjë pyetje dhe të marrë përgjigje". Në një intervistë për "New Yorker", ajo shpjegoi se, që nga fillimi i karrierës së saj, motoja e saj ishte "nuk e bëj punën time për vete".
“Nëse i lini që çdo gjë ta kthejnë në personale, atëherë e keni humbur betejën,"-tha ajo kur u pyet për përplasjet me republikanët.
Kur ajo mori detyrën si kryekorrespondente e Shtëpisë së Bardhë për CNN në moshën 28-vjeçare, ajo u bë gazetarja më e re në historinë e rrjetit që mban atë pozicion. Sipas revistës "InStyle", Collins lindi dhe u rrit në shtetin e Alabamës nga prindër politikisht neutralë, të cilët i rrënjosën asaj pikëpamjen se sistemi politik amerikan është "i dështuar". Pas diplomimit në Universitetin e Alabamës, ajo punoi si korrespondente në Uashington për Daily Caller, një faqe interneti konservatore e lajmeve e themeluar nga Tucker Carlson. Nëpërmjet këtij pozicioni, ajo fitoi kontaktin e saj të parë me partinë republikane; e pikërisht atëherë ajo filloi të vëzhgonte sjelljen e Trump dhe të zhvillonte kontakte me disa nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt.
Pasi u punësua nga CNN, ajo punoi për një kohë si reportere e partisë, por në vitin 2018 u pezullua përkohësisht nga Shtëpia e Bardhë për shkak të pyetjes së Trump për marrëdhëniet e tij me presidentin rus Vladimir Putin. Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë e cilësoi sanksionin e vendosur ndaj saj si "plotësisht të papërshtatshëm dhe të gabuar".
Collins mbuloi zgjedhjet e vitit 2020 për CNN si korrespondente e Shtëpisë së Bardhë dhe në vitin 2021 u promovua në krye të ekipit. Gjatë gjithë karrierës së saj, ajo është përplasur vazhdimisht me Trump. Pak kohë më parë, në një takim me ambasadorët amerikanë, presidenti amerikan refuzoi t'i jepte fjalën asaj për t'i bërë një pyetje.
Në vitin 2023, në një forum publik në New Hampshire me votuesit republikanë, Collins e pyeti Trumpin për pretendimet e tij se zgjedhjet e vitit 2020 ishin "vjedhur". Gjatë gjithë bisedës 70-minutëshe, Trump shpesh e humbi durimin me gazetaren, duke e cilësuar atë si një "person të mbrapshtë".
Pse ekipi i Donald Trump po e sulmon?
Në internet, Collins shpesh merr kritika të ashpra. Llogaritë që mbështesin lëvizjen "MAGA" po ripostojnë video të të ashtuquajturave "momente të sikletshme" të saj, duke i kthyer ato në meme. 33-vjeçarja zakonisht ulet në rreshtin e parë të dhomës së konferencës, por Shtëpia e Bardhë njoftoi javën e kaluar se do të zhvendoste mediat tradicionale në pjesën e pasme të dhomës dhe do të vendoste gazetarët "të preferuar" në sediljet e përparme. Megjithatë, ajo është e përgatitur të përballet me shumë vështirësi të tjera. Ajo shprehet se nuk e shqetëson veçanërisht kur Trump irritohet me pyetjet e saj, pasi beson se është përgjegjësi e gazetarëve t'i bëjnë këto pyetje./ZËRI