SHBA-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila ishte e pranishme në Bordin e Paqes, ka deklaruar se me presidentin amerikan, Donald Trump është diskutuar edhe për Gjykatën Speciale. Por në një deklaratë për “Rubiko”, Osmani nuk dha më shumë detaje në lidhje me atë që u fol.
Presidentja e Kosovës u shpreh se ajo dhe kryeministri Edi Rama do të flasin më në detaje kur “të vjen momenti”rreth kësaj çështje.
Vjosa Osmani: Kemi diskutuar. Unë ju kisha lutur për mirëkuptimin tuaj. Nuk besoj që është në interesin e Kosovë në qoftë se japim më shumë detaje rreth kësaj. Mirëpo, dua të sigurojë që i kemi diskutuar të dyja temat dhe kemi marrë garanci të fuqishme. Natyrisht që kur të vjen momenti edhe unë, edhe kryeministri Rama do të flasim më në detaje për këtë temë, por e kemi informuar në detaje për këto dy tema, dhe sërish dua ta them, sot ka qenë një ditë jashtëzakonisht e mirë për Kosovën.
Ndërkohë gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Bordi të Paqes, kryeministri Edi Rama u ndal tek gjyqi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Rama e cilësoi një gjyq të turpshëm, duke i thënë se ish-krerët e UÇK-së, përfshirë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, po mbahen në një gjyq prej 6 vitesh. Edhe në përfundmi të takimit në Bordin e Paqes, ndryshe nga liderët e tjerë, Rama u ndal disa minuta në bisedë me Trump gjatë shtrëngimit të duarve. Në krah të Trump ndodhej edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Prokuroria Speciale e Hagës ka kërkuar 180 vite në total për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin./ZËRI
