SHBA- Seanca dëgjimore ku po merrte pjesë Hillary Clinton u ndërpre papritur pas publikimit të një fotografie nga brenda dhomës, jashtë procesverbalit të komisionit. Një këshilltar i familjes Clinton i tha gazetarëve se dëshmia është ndërprerë ndërsa komisioni po shqyrton foto që ka rrjedhur, gjë që shkel rregullat e brendshme të panelit.
Ngjarja ka nxitur debate mbi sigurinë dhe respektimin e procedurave gjatë seancave të organizuara nga Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve, duke rritur shqetësimet për kontrollin e informacionit të ndjeshëm.
Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka dhënë dëshminë e saj në Komitetin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, në një seancë me dyer të mbyllura. Në sallë nuk lejohen kamera, por Clinton publikoi pak minuta më parë në rrjetet sociale deklaratën e saj të plotë hyrëse. Clinton mohon të ketë pasur dijeni për aktivitetet kriminale të Epstein-it – dhe sfidon Komitetin që të thërrasë në dëshmi Presidentin Donald Trump.
Clinton përmend Sekretarin aktual të Shtetit, Marco Rubio, dhe Prokuroren e Përgjithshme, Pam Bondi, duke thënë se edhe ata duhet të pyeten për “pse kjo administratë po braktis të mbijetuarit dhe po luan në favor të trafikantëve”.
“Siç e kam deklaruar më 13 janar në deklaratën time të betuar, nuk kisha asnjë dijeni për aktivitetet e tyre kriminale. Nuk më kujtohet ta kem takuar ndonjëherë z. Epstein, nuk kam fluturuar me aeroplanin e tij dhe as nuk kam vizituar ishullin, shtëpitë apo zyrat e tij. Komiteti duhet të lëshojë thirrje zyrtare për këdo që ka pyetur se kur do të mbahej nata e “festës më të çmendur” në ishullin e Epstein”, ka thënë Clinton.
Dosjet e Epstein përfshijnë emrat e shumë figurave të profilit të lartë, midis tyre ish-princi britanik Andrew, ish-presidenti amerikan Bill Clinton, presidenti aktual amerikan Donald Trump, ish-kryeministri izraelit Ehud Barak, këngëtari Michael Jackson dhe ish-guvernatori i New Mexico-s Bill Richardson.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë filloi të publikojë dosjet që lidhen me Epstein vitin e kaluar sipas Aktit të Transparencës së Dosjeve Epstein, ligji i miratuar pas muajsh presioni publik dhe politik që kërkon që qeveria amerikane të hapë dosjet e saj mbi financierin e ndjerë dhe shoqen e tij të besuar dhe dikur të dashurën e tij, Ghislaine Maxwell. Jeffrey Epstein është një figurë e përfshirë në skandale të rënda ndërkombëtare. Historia fillon në vitin 2008, kur Epstein arriti një marrëveshje me prokurorët në Florida, pasi prindërit e një vajze 14-vjeçare e akuzuan atë për abuzim seksual. 11 vjet më vonë, në 2019, ai u akuzua sërish për drejtimin e një rrjeti të vajzave të mitura për shfrytëzim seksual. Vetë Epstein vdiq në burg ndërsa priste gjyqin dhe vdekja e tij u shpall vetëvrasje./ZËRI