ITALI- Nëna e Mark Samsonit, të riut që vrau ish-të dashurën e tij Ilaria Sula tetë muaj më parë, është dënuar me dy vjet burg për fshehjen e kufomës.
E reja shqiptare u vra nga ish-i dashuri i saj, ndërsa Nosr Manlapaz, e ndihmoi djalin e saj 23-vjeçar të fshihte trupin e pajetë të Ilarias, ngjarje e ndodhur në 26 mars 2025. Dënimi u dha dy ditë më parë, kur gjyqtari miratoi kërkesën e avokatëve të Manlapaz për një marrëveshje pranimi të fajësisë, duke dhënë një dënim me kusht.
Familja e Ilarias reagoi ashpër ndaj vendimit. Babai i saj, Flamur Sula, e quajti vendimin “të padrejtë”, ndërsa tha se seanca ku u dënua Manlapaz zgjati vetëm minuta.
“Për ne, kjo nuk është drejtësi,” u shpreh ai. “Ne u shkatërruam nga ajo që pamë dhe dëgjuam, një gjyq që zgjati vetëm pesë minuta. Një person që pastroi litra gjak të vajzës sime që ishte hedhur në tualet… Për ne, kjo nuk është drejtësi.”
Seanca paraprake për gjyqin e Mark Samson do të hapet më 9 dhjetor.
Gjyqi ndaj të riut, i cili pranoi vrasjen e ish-të dashurës së tij, filloi më 12 nëntor në Romë. Zyra e prokurorit kërkoi dhe siguroi një gjykim të menjëhershëm. Prokurorët, të udhëhequr nga Zëvendës Prokurori Giuseppe Cascini, po e akuzojnë të riun për vrasje me dashje të kryer me paramendim, për motive banale.
Si i pandehuri ashtu edhe prindërit e vajzës ishin të pranishëm në sallën e gjyqit: "Ne duam vetëm drejtësi për Ilarian. Është një dhimbje që nuk shërohet kurrë."/ZËRI



