
ITALI- Vrasja e rëndë e 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula nga ish-i dashuri i saj, Mark Samson, ka marrë përmasa të reja pas zbardhjes së motiveve të ngjarjes. Sipas asaj që shkruan gazeta italiane "La Repubblica", i riu me origjinë filipinase kishte krijuar një realitet të rremë përballë familjes dhe miqve, duke përdorur llogari të falsifikuara për të pretenduar se kishte kaluar me sukses të gjitha provimet në Universitetin “La Sapienza” në Romë.
Filipinasi 24-vjeçar nuk donte që familja e tij ta dinte se ai nuk kishte ndjekur universitetin për njëfarë kohe. Për këtë arsye, ai kishte hapur një llogari të rreme në emër të La Sapienza, me të cilën mund t’i mashtronte prindërit e tij, duke i bërë ata të besonin se ai ishte gati të diplomohej në Arkitekturë.
"E kuptova sepse i kërkova t’i kërkonte sekretares të më tregonte notat,"- i tha Policisë Nora Manlapaz, nëna e djalit, gjatë marrjes në pyetje më 7 prill. Në fakt, dokumentet e hetimit përfshijnë email-e nga universiteti drejtuar babait të tij, Eddie-t. Dhe në shikim të parë është e qartë se e gjitha është e stisur. Emri i dërguesit është një "La sapienza" e përgjithshme, me një s të vogël. Adresa është një llogari në Google e hapur për këtë rast në emër të: [email protected].
Universiteti, i kontaktuar nga "La Repubblica" se nuk është kjo adresa e email, e përdorur prej tyre. Megjithatë, mami Nora dhe babi Eddie i besuan Markut verbërisht dhe nuk dyshuan për asgjë, edhe kur u vinin emailet.
“Mirëmëngjes Samson, nota jote në provimin e materialeve është 27. Kalofsh një ditë të mbarë,”- thuhet në mesazhin e 13 shkurtit 2025, ndoshta një nga më të plotët. Më 28 nëntor 2024, një email tjetër i ka ardhur nga llogaria e rreme “La Sapienza” ku shkruhet: Keni 30 pikë, madje me nderime!
Nëna Nora, e mbrojtur nga avokati Paolo Foti, edhe pas arrestimit, ishte e bindur se djali i saj është një nxënës model. Kjo histori nis një tjetër pistë për ngjarjen. Dyshohet se Ilaria Sula e ka kuptuar mashtrimin dhe kështu kanë nisur "arsyet e fërkimit" me të dashurin e saj.
"Ose më trego notat, ose do të të lë,"-i ka thënë Ilaria, sipas asaj që ka rrëfyer Samson. Ajo e kishte zbuluar mashtrimin e Markut, i cili që nga fëmijëria thotë i kishte përjetuar gjykimet në një mënyrë traumatike. Sidomos ato të prindërve. Në fakt, për ta, ishte thelbësore që djali i tyre të mbaronte universitetin. Për këtë arsye ata nuk e shikonin me sy të mirë marrëdhënien me Ilaria Sulën.
Nëna e konfirmoi këtë gjatë marrjes në pyetje para hetuesve.
"Thashë që nuk e doja Ilarinë në shtëpi, por vetëm se në vendin tonë, kur një çift nuk është i martuar, sjell fat të keq nëse shkojnë të jetojnë me prindërit e njëri-tjetrit. Jo çdo gjë shkonte mirë mes tyre, sidomos kur ishte koha e provimeve."
Mark Samson e vrau Ilaria Sulën duke e goditur 3 herë me thikë në fyt, mbrëmjen e 25 marsit, plagë që i shkaktuan vdekjen 22-vjeçares shqiptare në më pak se një minutë për shkak të humbjes së madhe të gjakut. 23-vjeçari mbylli derën e dhomës së tij të gjumit dhe deri pasditen e 26 Marsit e mbajti të fshehur trupin e studentes shqiptare, të cilën e kishte ftuar për të fjetur në shtëpinë e tij, edhe pse kishin një vit që ishin ndarë. Prej një jave e zhdukur, 22-vjeçarja Ilaria Sula u gjet e vrarë. Trupi i pajetë u gjet në një valixhe të hedhur në humnerë në një zonë të pyllëzuar në Poli./ZËRI