HAGË- Mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit ka mbyllur zyrtarisht paraqitjen e provave në Gjykatën Speciale. Thaçi dhe Krasniqi, së bashku me Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Njoftimi nga mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit është bërë ndaras më 2 dhjetor. Mbrojtja kishte nisur paraqitjen e provave më 15 shtator.
Gjatë dy muajve të fundit, në Dhomat e Specializuara kanë dëshmuar James Rubin, Paul Ëilliams, John Duncan, James Covey, Christopher Hill, Michael Durkee dhe Wesley Clark, në mbrojtje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dëshmitë e ish-zyrtarëve të lartë të periudhës së luftës në Kosovë janë vlerësuar si element përcaktues për të vërtetën e luftës çlirimtare të UÇK-së, pasi kanë sfiduar narrativën e Prokurorisë së Specializuar, sipas së cilës UÇK-ja ka pasur një strukturë qendrore të konsoliduar që ka urdhëruar vrasjen e civilëve gjatë luftës në Kosovë.
Gjatë 21 ditëve të ardhshme, Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk do të mbajnë seanca gjyqësore dhe as konferenca mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërkaq, nga 22 dhjetori, Gjykata Speciale do të hyjë në pushimin dimëror, i cili do të zgjasë deri më 9 janar.
Ndërkohë, më 9 shkurt 2026 do të nisin seancat përmbyllëse në rastin ndaj Thaçit.
Në Dhomat e Specializuara, seanca e fundit është mbajtur më 28 nëntor, një datë që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka kritikuar, pasi përkon me Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Në të njëjtën ditë në Kosovë është përkujtuar edhe dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe përvjetori i lindjes së komandantit legjendar, Adem Jashari.
Katër ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa qëndrimi i tyre pesëvjeçar në Hagë është cilësuar si shkelje e të drejtave të njeriut. Për këtë arsye, së fundmi është organizuar edhe një protestë në Hagë.