Bota

Negociatat kanë mbaruar, çfarë ndodhi në Stamboll/ Rusët dhe ukraniasit përballët, pikat ku ranë dakord

Diskutimet mes palëve zgjatën pak më shumë se një orë. Rusia dhe Ukraina shkëmbyen propozime për t'i dhënë fund luftës së tyre 3-vjeçare, duke kërkuar një zgjidhje për konfliktin më të madh të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.

k.m.
Negociatat kanë mbaruar, çfarë ndodhi në Stamboll/
Pamje nga bisedimet

STAMBOLL- Negociata të reja të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës u zhvilluan sot në Stamboll. Bisedimet u zhvilluan një ditë pas sulmit historik ukrainas ndaj bazave ajrore ruse, ku dronët dëmtuan dhjetëra bombardues të vendosur mijëra milje larg frontit. Diskutimet mes palëve zgjatën pak më shumë se një orë. Rusia dhe Ukraina shkëmbyen propozime për t'i dhënë fund luftës së tyre 3-vjeçare, duke kërkuar një zgjidhje për konfliktin më të madh të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore. Edhe pse nuk ishte pjesë e tryezës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy këmbënguli se çdo marrëveshje nuk duhet të “shpërblejë” udhëheqësin rus Vladimir Putin, por tha se Kievi ishte gati të ndërmerrte të gjithë “hapat e nevojshëm për paqen”.

Takimi në Stamboll, i mbajtur në Pallatin Çırağan - një ish-pallat osman i shndërruar në një hotel luksoz - u ndërmjetësua nga Turqia, Ministri i Jashtëm i së cilës, Hakan Fidan, theksoi se "sytë e të gjithë botës" ishin mbi këto diskutime. Megjithatë, qëndrimet e Moskës dhe Kievit mbeten në dukje të papajtueshme: Ukraina kërkon një "armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte", ndërsa Rusia këmbëngul në adresimin e "shkaqeve rrënjësore" të konfliktit, një term që përfshin kërkesa të tilla si neutraliteti ushtarak i Ukrainës dhe lëshimet territoriale.

KËRKESAT DHE PRETENDIMET

Moska i përsëriti kërkesat territoriale dhe kërcënoi se në të kundërt do të përshpejtonte një ofensivë tokësore drejt rajoneve të Sumy-t dhe Kharkiv. Moska po kërkon gjithashtu që Ukraina të tërhiqet përgjithmonë nga anëtarësimi në NATO, të kufizojë madhësinë e ushtrisë së saj dhe të shpallë veten shtet neutral, si dhe të ndalojë marrjen e armatimeve nga vendet e Perëndimit. Putini ka këmbëngulur në shkarkimin e Presidentit Zelenskyy dhe në mars propozoi vendosjen e Ukrainës nën një “administratë të përkohshme” të mbështetur nga OKB-ja. Zyrtarët rusë kanë bërë thirrje për “demilitarizimin” dhe “denazifikimin” e Ukrainës, një narrativë e hedhur poshtë nga Kievi dhe Perëndimi.

Nga ana e saj, Ukraina po kërkon një “armëpushim gjithëpërfshirës dhe të pakushtëzuar” që mbulon përplasjet tokësore, ajrore dhe detare, e ndjekur nga lirimi i të burgosurve dhe kthimi i fëmijëve të deportuar në Rusi. Zelenskyy kërkon “garanci sigurie” për të parandaluar pushtimet e ardhshme ruse, idealisht anëtarësimin në NATO ose mbrojtjen sipas Nenit 5 që nënkupton mbrojtjen kolektive. Po ashtu, sot, delegacioni ukrainas i dorëzoi sot palës ruse një listë të fëmijëve që duhen kthyer pas nga Moska. 

“Këta janë qindra fëmijë që u deportuan ilegalisht, u zhvendosën me forcë ose u mbajtën në territore të pushtuara përkohësisht nga Rusia,”-tha  kreu i zyrës së Presidentit ukrainas, Andriy Yermak. Por, Moska pretendon se fëmijët u evakuuan për t'i mbrojtur nga operacionet e luftës.

Ndërkohë që bisedimet vazhdonin, Zelenskyy ishte në Poloni. Nga atje, presidenti ukrainas theksoi nevojën për sanksione më të ashpra kundër eksporteve ruse të energjisë, dhe veçanërisht kundër shitjeve të naftës nga Moska. Presidenti përmendi në mënyrë të qartë rëndësinë e Shteteve të Bashkuara — të cilat nuk kanë miratuar masa të reja ndëshkuese kundër Rusisë që kur Presidenti Donald Trump mori detyrën.

PËRFUNDIMET

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, tha pas negociatave të sotme në Stamboll se delegacioni ukrainas kishte marrë memorandumin rus dhe se do të vendosin për hapat e mëtejshëm brenda javës së ardhshme. Ai konfirmoi se të dyja palët kishin arritur një marrëveshje për shkëmbimin e të gjithë të burgosurve të plagosur rëndë, të sëmurë rëndë dhe të miturit, si dhe për kthimin e trupave të ushtarëve të vdekur. Umerov shtoi se në takim u diskutua gjithashtu një takim i mundshëm midis Presidentit Zelenskyy dhe Putin, me pjesëmarrjen e mundshme të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, në fund të muajit.

"Ne bëjmë thirrje për punë të vërtetë për t'i dhënë fund luftës - një armëpushim, masa humanitare, një takim udhëheqësish. Nëse Rusia është serioze, do të bjerë dakord. Nëse jo, duhet të pasojnë sanksione të reja,"- tha Umerov.

Për mediat, negociatori i Kievit Sergiy Kyslytsya tha se Rusia hodhi poshtë mundësinë e një armëpushimi pa kushte me Ukrainën.

“Pala ruse vazhdoi të refuzojë propozimin për një armëpushim pa kushte,”- u tha Kyslytsya gazetarëve në një konferencë për shtyp pas bisedimeve.

Palët, ranë dakord të takohen përsëri në të ardhmen për të vazhduar bisedimet./ZËRI

Poll

MOS HUMB