GREQI- Hakmarrja mes dy familjeve në Kretë ka përfunduar në një masakër të përgjakshme. Tre persona kanë humbur jetën dhe 14 të tjerë kanë mbetur të plagosur, si pasojë e të shtënave me armë në fshatin Vorizia të Heraklionit, Greqi.
Mediat greke bëjnë me dije se viktimat janë nga të dyja familjet e përfshira, ndërsa mes të plagosurve ka edhe të tjerë që nuk kanë lidhje me hakmarrjen.
Të shtënat me kallashnikov nisën si hakmarrje ndaj një bombe që shpërtheu në banesën e një prej familjeve. Në fshat kanë shkuar forca të shumta policie që të japin përshtypjen e një lufte që ka ndodhur në fshatin e vogël grek.
Sipas mediave vendase, situata përshkruhet kaotike. Janë shtënë më shumë se 2 mijë plumba, ndërsa ende nuk është e sigurt nëse ka mbaruar, pasi dëshmitarët vërejnë se dëgjohen vazhdimisht të shtëna me armë zjarri, me të plagosurit që madje janë transportuar në spitale me automjete bujqësore.
Pjesa tjetër e banorëve të fshatit janë mbyllur në shtëpitë e tyre, duke qenë nën “pushtetin” e plumbave. Në momentin që ka ndërhyrë policia, ata kanë pushuar së qëlluari në fshat.
Ndërkohë autoritetet përballen me një problematikë tjetër, frikës se hakmarrja mund të vazhdojë edhe në dyert e spitaleve. Forca të forta policore po veprojnë në fshat për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të kontrolluar situatën.