IZRAEL- Ministria e Jashtme e Izraelit e quan njohjen nga Britania të Palestinës ‘asgjë më shumë se një shpërblim për Hamasin’.
Në një postim në X, Ministria e Jashtme e Izraelit shkroi se njohja e Palestinës si shtet nga Britania e Madhe është “asgjë më shumë se një shpërblim për xhihadistët e Hamasit”.
“Njohja nuk është gjë tjetër veçse një shpërblim për xhihadistët e Hamasit – të inkurajuar nga degët e tij të lidhura me Vëllazërinë Myslimane në MB. Vetë udhëheqësit e Hamasit e pranojnë hapur: kjo njohje është një rezultat i drejtpërdrejtë, ‘fryti’ i masakrës së 7 tetorit. Mos lejoni që ideologjia xhihadiste të diktojë politikën tuaj.”-thuhet në postim.
Sot, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Australia e kanë njohur zyrtarisht shtetin palestinez, duke iu bashkuar vendeve të tjera në një lëvizje që synon ringjalljen e përpjekjes për zgjidhjen me dy shtete, por që është kritikuar nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara./ZËRI