Bota

Nobelin për Paqen e fiton politikania nga Venezuela, Trump nuk ia del, pavarësisht marrëveshjes në Lindjen e Mesme

Çmimi Nobel për Paqen për vitin 2025 i shkon një gruaje që mban ndezur flakën e demokracisë, mes një errësire në rritje

E.K
Nobelin për Paqen e fiton politikania nga Venezuela, Trump nuk ia del,
fituesja e nobel

OSLO- Çmimi Nobel për Paqen për vitin 2025 i është dhënë María Corina Machado për “promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës”.

Komiteti Norvegjez i Nobelit i dha fund këtë të premte spekulimeve dhe interesit global për një nga çmimet më prestigjioze dhe të paparashikueshme në botë. Machado u vlerësua për “kurajën e jashtëzakonshme në mbrojtjen paqësore të lirisë politike dhe dinjitetit njerëzor në kushte shtypjeje të rëndë”.

“Komiteti Norvegjez i Çmimit Nobel ka vendosur t’ia japë Çmimin Nobel për Paqen për vitin 2025 Maria Corina Machados. Ajo po e merr Çmimin Nobel për Paqen për punën e saj të palodhur në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për luftën e saj për të arritur një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci”, tha komiteti.

Machado, e njohur si një nga figurat kryesore të opozitës ndaj regjimit të Nicolás Maduro, ka qenë e ndaluar të kandidojë për poste publike, por vazhdoi të udhëheqë lëvizjen demokratike venezueliane dhe të frymëzojë miliona qytetarë në vendin e saj dhe jashtë tij.

Ky çmim shihet si një mesazh i fuqishëm ndërkombëtar për mbështetjen e kauzave demokratike në Amerikën Latine dhe një sinjal kundër autoritarizmit.

Në mesin e emrave që përflitej këtë vit për të fituar Nobelin e Paqes, ishte dhe ai i Donald Trump, veccanërisht pas marrëveshjes së fundit që u arrit në Gaza. Trump ka kohë që pretendon se e meriton këtë çmim prestigjioz, duke e quajtur veten një faktor kyç në nxitjen e paqes në Lindjen e Mesme. Që në mandatin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, ai deklaronte se “shumë njerëz” mendonin se ishte i denjë për Nobelin.

Gjatë një takimi në muajin shkurt me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, Trump u shpreh i bindur për meritat e tij, por gjithashtu skeptik për një shpërblim nga komiteti Nobel: “Ata kurrë nuk do të më japin një Çmim Nobel për Paqen. E meritoj, por ata kurrë nuk do të ma japin.”/ZËRI

Poll

MOS HUMB