
VATIKAN- Ortodoksët dhe Katolikët, dy degët kryesore të fesë së krishterë, janë pranë një marrëveshjeje historike që do t'i lejojë të festojnë Pashkën në të njëjtën ditë. Mediat greke raportojnë se Patriarku ortodoks i Stambollit, Bartolemeu dhe Papa Françesku janë duke finalizuar bisedimet që synojnë t’i japin fund ndasive shumëvjeçare në lidhje me datën e festimit të kësaj ngjarjeje të shenjtë.
Vendimi pritet të merret në maj të vitit të ardhshëm gjatë një takimi në Iznik, Turqi, për të shënuar 1700-vjetorin e Këshillit të Parë Ekumenik të Nikesë. Ky këshill historik, i mbajtur në vitin 325, u përpoq të unifikonte të gjitha kishat e krishtera, por uniteti nuk u arrit kurrë.
Ndarja e datës së Pashkës filloi në vitin 1582, kur Papa Gregori XIII prezantoi kalendarin gregorian, i cili u refuzua nga Kisha Ortodokse Greke dhe të tjerat ortodokse. Megjithatë, Kisha Ortodokse Greke duket se ka zbutur qëndrimin e saj, ndërsa Kisha Ortodokse Ruse mbetet ende e pavendosur.
Kjo marrëveshje do të ishte një hap historik drejt afrimit të dy komuniteteve më të mëdha të krishterimit pas shekujsh ndarjeje./ ZËRI