HAGË- Seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së po mbahet në Hagë, në një prej seancave më të rëndësishme, pasi secili prej tyre do të ketë në dispozicion nga 20 minuta për t’iu drejtuar gjykatës me deklaratat përmbyllëse.
Mbrojtja e Kadri Veselit është shprehur se akuzat kundër tij janë të pabazuara dhe thashetheme. Avokati Rodney Dixon tha se Kadri Veseli nuk mund të shpallet fajtor në bazë të provave që nuk janë testuar apo në bazë të thashethemeve. Për ta vërtetuar këtë, ai mori një video të publikuar nga Prokuroria ku një dëshmitar tha se kishte dëgjuar nga dikush se Veseli ishte përfshirë në krime.
"Ky është thashethem i pastër. Ky klip është i pavlerë", u shpreh avokati.
"Mbrojtja mbështetet në të drejtat më themelore që duhen të jenë në çdo gjykim penal, pra e thënë shkurt, të testohen provat ndaj të akuzuarve. ZPS-ja po përpiqet të shfrytëzojë pikërisht fillin e artë të të drejtës penale për të lidhur klientin tim. Ky parim ligjor është i padiskutueshëm, gjykata nuk mund të shpall fajësinë për një person, nëse kjo shpallje fajësie do të mbështetet vetëm mbi prova të patestuara dhe thashetheme", tha Dixon.
Avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, në përmbyllje të fjalës së tij kritikoi ashpër Prokurorinë e Hagës për mungesë provave. Avokati theksoi se Prokuroria nuk është e bindur për argumentet ndaj Selimit, teksa shtoi se nuk po arrin të bëjë dallimin mes pretendimeve dhe provave.
“S’mund të vërtetohet që z. Selimi ka kontribuar në krimet paraqitura në aktakuzë. S’mund të merret vendim fajësie për z. Selimi në lidhje me NKP-në. Prokuroria s’ka më asnjë provë për të siguruar vendimin e fajësisë për z. Selimi. Për secilin prej pretendimeve që ka pasur prokuroria, kanë qenë të pa baza...Paaftësia e Prokurorisë për të bërë dallimin mes pretendimeve dhe provave, është po aq shqetësuese në këtë fazë të procesit gjyqësor, sa është edhe befasuese. Por edhe paaftësia për të trajtuar pikat e tjera që janë ngritur në lidhje me NPK-në theksojnë mungesën e qartësisë dhe besimit që ka vetë Prokuroria në argumentet e veta”, tha Geoffrey Roberts.
Në përfundim, avokati kërkoi pafajësi për Rexhep Selimin dhe kthimin menjëherë në Kosovë, pranë familjes së tij. Sipas tij, asnjë vendim tjetër nuk mund të justifikohet në bazë të provave që janë paraqitur në këtë çështje gjyqësore.
“Prokuroria nuk ka argumente kundër zoti Selimi. Nuk mund të merret vendim fajësie. Nuk ka asnjë provë, asgjë nuk mund të nxjerrë Prokuroria tani për të siguruar vendimin e fajësisë kundër z. Selimi. Për secilin nga pretendimet që ka pasur prokuroria ndaj z. Selimi në këtë raste gjyqësor, këto kanë qenë të pabaza. Duhet shfajësohet nga të gjitha akuzat, të lirohet menjëherë dhe të kthehet në Kosovë pranë familjes së tij. Asnjë vendim tjetër nuk mund të justifikohet në bazë të provave që janë paraqitur në këtë çështje gjyqësore.”, ka përfunduar Roberts.
Mbrojtja e Jakup Krasniqit gjithashtu mbajti fjalën përmbyllëse në seancë, teksa avokati Aidan Ellis, deklaroi se argumentet Gjykatës Speciale vazhdojnë të karakterizohen nga selektiviteti dhe përzgjedhje të vazhdueshme. Sipas avokatit, kjo nuk është analizë, por shtrembërim. Ai deklaroi se provat do ta çojnë trupin gjykues që ta shpallin atë të pafajshëm.
“Prokuroria përzgjodhi fragmente që i shkojnë për shtati teorisë së saj, ndërkohë që nuk mori parasysh fare sqarimet si dhe dëshmi shfajësuese dhe të pakundërshtuara nga vetë dëshmitarë të Prokurorisë. Kjo nuk është analizë, kjo është shtrembërim”, tha avokati./ZËRI