
SARAJAVË- Efektivët e SIPA-s u përpoqën të arrestonin presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik. Por pa sukses!
Ministria e Punëve të Brendshme e entitetit të Republikës Sërpska (MUP RS) ka penguar anëtarët e Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA) të hyjnë në ndërtesën e Qendrës Administrative të Qeverisë së Republikës Sërpska në Sarajevën Lindore, ku po zhvillohej një takim mes Milorad Dodik, dhe përfaqësuesve të Qytetit të Sarajevës Lindore.
Anëtarët e SIPA kërkuan që të zbatonin urdhërin e Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës, por pa përdorur dhunë. Dodik u largua nga ndërtesa e Qeverisë së Republikës Srpska rreth orës 12:00. Teksa po largohej, siç raportojnë mediat, Dodik ka treguar tre gishtat. Tashmë, Dodik është zhvendosur në një vend tjetër.
Dodik iu drejtua mediave nga Sarajeva pas lajmit se anëtarët e SIPA-s tentuan t'i zbatonin urdhër-arrestin ndaj tij.
"Ndihem mirë. I shëndoshë, i gjallë dhe nuk kam ndërmend të largohem nën presion. Kjo është Republika Srpska. Ata nuk janë një agjenci prapa Republika Srpska. Ata thyen ligjet. A mendon vërtet dikush se Policia që ka përsipër mbrojtjen e institucioneve do të përkulet para forcës pushtuese të quajtur SIPA, Gjykatës, Prokurorisë dhe Schmidt. Ai djalë është budalla. Nuk mund të burgosësh pesë mijë policë apo 1.2 milionë serbë. Ne e dimë se ju dëshironi të na dëboni, por ju do të duhet të dëboni të gjithë Republikën Srpska nga BeH. Ne nuk do të shkojmë në luftë, nuk kemi nevojë për armë. Ne kemi bindjen për të mbrojtur atë që është e shenjtë për ne. Nëse do të kishit pak respekt për Republikën Srpska, nuk do të ishit në këtë situatë,"-tha Dodik.
Gjykata e BeH urdhëroi paraburgimin dhe lëshoi një urdhër arresti për Dodikun, si dhe për kryeministrin e Republikës Srpska, Radovan Vishkoviç dhe kryetarin e Parlamentit të entitetit, Nenad Stevandiç. Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të “sulmit ndaj rendit kushtetues”. Urdhri nënkupton që çdo oficer policie në vend që i ndeshet duhet t’i arrestojë menjëherë.
Presidenti i Republikës Srpska u dënua më 26 shkurt me 1 vit burg dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar detyrën e presidenti për 6 vjet, pasi refuzoi të zbatonte direktivat e përfaqësuesit të lartë Christian Schmidt. Vendimi nuk është përfundimtar dhe Dodik mund ta apelojë atë. Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshme dy ligje jokushtetuese të Republikës Srpska, të cilat më parë ishin shfuqizuar nga Përfaqësuesi i Lartë.
Bëhet fjalë për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, dhe moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republika Srpskas. Llukiç akuzohej për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve në Gazetën Zyrtare të Republikës Srpska./ZËRI