Bota

Pse është nën hetim Meloni? Linja e shtetit dhe memorandumi që i "lidhi" duart (DETAJET)

Hetimi vjen në mes të një përplasje të paprecedentë mes qeverisë dhe gjyqësorit! 

k.m.
Pse është nën hetim Meloni? Linja e shtetit dhe memorandumi
Giorgia Meloni dhe Almasri

ITALI- Kryeministrja Giorgia Meloni po hetohet nga Prokuroria e Romës për për favorizim dhe shpërdorim detyre, lidhur me riatdhesimin e  gjeneralit libian Osama Njeem Almasri, komandant i burgut Mitiga, i akuzuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Së bashku me kryeministren, nën hetim janë ministri i Drejtësisë Carlo Nordio, ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi dhe nënsekretari i kryeministrit, Alfredo Mantovano.

Hetimi vjen në mes të një përplasje të paprecedentë mes qeverisë dhe gjyqësorit! 

Por çfarë dhe si ka ndodhur gjithçka?

Gjithçka filloi më 19 janar, kur Almasri u arrestua në një hotel në Torino, ku kishte mbërritur një ditë më parë nga Gjermania me një makinë me qira. Atë ditë sapo kishte ndeshjen Juventus-Milan. Vetëm një ditë më parë, më 18 janar, Gjykata e Hagës kishte lëshuar një urdhër arresti ndaj Almasrit. Gjithçka ndodh më 21 janar! Gjykata e Apelit të Romës nuk e pranon arrestimin sepse ministri i Drejtësisë, përgjegjës për marrëdhëniet me Gjykatën Penale Ndërkombëtare nuk ishte njoftuar. Kështu që ai u lirua. Në të njëjtën ditë të lirimit të tij, Almasri u kthye në Libi me një fluturim special të shërbimeve sekrete italiane, të përdorura vetëm për arsye sigurie dhe emergjence.

Versioni i qeverisë u prezantua në Senat nga ministri i Brendshëm, Piantedosi.

"Pas dështimit për ta mbajtur në burg dhe duke pasur parasysh se ai do të qëndronte i lirë në Itali dhe paraqiste rrezik social, kam marrë masën e dëbimit për arsye sigurie shtetërore. Dispozita i është njoftuar të interesuarit në momentin e lirimit dhe në mbrëmjen e 21 janarit është larguar nga territori kombëtar.”

Edhe sqarimi i Melonit pati pak a shumë të njëjtat fjalë.

"Almasri u lirua me urdhër të Gjykatës së Apelit të Romës, jo me urdhër të qeverisë. Nuk është zgjedhje e qeverisë. Ajo që qeveria zgjedh të bëjë kur përballet me një person të rrezikshëm për sigurinë tonë, është ta dëbojë atë menjëherë nga territori kombëtar. Në të gjitha rastet e të ndaluarve që do të riatdhesohen si subjekte të rrezikshme, fluturimet normale nuk do të përdoren kurrë pasi rrezikojnë sigurinë e pasagjerëve."

A janë gjërat vërtet kështu?

Gazetari Giovanni Bianconi shkruan për "Corriere della Sera" se vullneti i qeverisë italiane për të shpërfillur urdhrin e arrestit të gjeneralit Najem Osama Almasri zbulohet në një fjali të Prokurorit të Përgjithshëm të Romës ku shkruhet: Ministrja e Drejtësisë, e interesuar nga kjo zyrë në datën 20 janar, menjëherë pas marrjes së dokumenteve nga Drejtoria e Policisë së Torinos, nuk ka dërguar asnjë kërkesë deri më sot në lidhje me të arrestuarin.

Pra e gjithë kjo mund të ishte korrigjuar në çast, por Carlo Nordio nuk e konsideroi të nevojshme. Për gazetarin ishte e gjitha një vendim politik për të riardhesuar libanezin.

Pse është një vendim politik?

Sepse qeveria kishte frikë nga hakmarrja e palës libiane, pasi aktualisht me atë vend ka një marrëveshje për emigrantët. Akuzat e GJNP-së ndaj Almasri janë shumë të rënda, por qeveria italiane e gjeti veten në një udhëkryq: ose të respektojë detyrimet e saj ndaj Gjykatës apo të rrezikonte një hakmarrje? Mbetet për t'u sqaruar nëse e gjithë kjo ka pasoja kriminale. Çështja, deri më tani ka ngjyra politike. 

Çfarë (nuk) thotë opozita?

Të gjitha forcat kundërshtare të Melonit sulmuan qeverinë sepse ajo injoroi vendimin e Gjykatën e Hagës dhe liroi kriminelin. Por nuk thonë se skica e marrëveshjes me libianët për ndalimin e emigrantëve nuk është shpikur nga Meloni.

"Ne kemi një memorandum me Libinë që daton në vitin 2017. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ministri i Partisë Demokratike Minniti, kur në Itali kapëm 250 mijë emigrantë të paligjshëm që u futën në vend në harkun kohor të një viti. Memorandumi e ndihmoi Italianë që të mos shihte shkatërrimin e saj. Vala e emigrantëve të paligjshëm ra me 77%. A ishte e diskutueshme nga pikëpamja etike? Ishte. A ka shërbyer për të parandaluar shpërthimin e një konflikti social në vendin tonë? Sigurisht. Që atëherë, Memorandumi nuk është kundërshtuar kurrë dhe, në të vërtetë, ai është rinovuar në 2020 dhe 2023. Pra, me 2 qeveri të ndryshme. "Torturuesi i Mitigës" është ndoshta ruajtësi i detajeve të papërshtatshme që ka ajo marrëveshje."

Është pothuajse e sigurt se dosja e hapur nga Prokuroria e Romës nuk do të përfundojë në një proces gjyqësor, pasi çdo gjykim i mundshëm do të duhet të miratohet nga Parlamenti, ku qeveria e Melonit ka shumicën. Por edhe prokurori Francesco Lo Voi nuk kishte rrugë tjetër veçse të ngrinte akuzën pas denoncimit të marrë nga avokati Luigi Li Gotti. Sipas interpretimit të tij të ligjit, ai ishte i detyruar të regjistronte të akuzuarit në regjistrin e hetimeve dhe të dërgonte çështjen nr. 3924 të vitit 2025 në Gjykatën e Ministrave. Sipas ligjit, “nuk mund të kryhet asnjë hetim paraprak”, çka për prokurorin nënkupton ndalimin e mbledhjes së provave që mbështesin ose hedhin poshtë akuzën.

Një tjetër siguri është se kjo çështje do të rrisë tensionet mes qeverisë dhe prokurorisë së Romës. Sidomos pas raportimeve se një hetim i AISI-t (Agjencia e Sigurisë së Brendshme) mbi shefin e kabinetit të Melonit, Gaetano Caputi, i cili duhej të mbetej sekret, përfundoi në një dosje hetimore dhe u bë publik. Ky zhvillim nuk është pritur mirë në Palazzo Chigi, njësoj si njoftimi që iu dorëzua dje kryeministres. Po ashtu, probleme ka pasur edhe më çështjen e emigrantëve që u nisën drejt Shqipërisë. Në 2 raste, Gjykata e Romës i ktheu emigrantët e paligjshëm në Itali, derisa vetëm pak javë më parë Gjykata e Kasacionit vendosi se i takonte qeverisë që të caktonte se cilët vende ishin të sigurta, e cilët jo./ZËRI

Poll

MOS HUMB