
MOLDAVI-Kryeministri i Moldavisë thotë se Rusia synon të marrë vendin e tij nën kontroll dhe të përdorë rajonin separatist të Transnistrisë kundër Ukrainës.
“Duhet ta kuptojmë se Rusia ka si qëllim marrjen e kontrollit të Moldavisë në vjeshtë dhe përdorimin e Transnistrisë kundër Ukrainës dhe Rumanisë, e cila është anëtare e NATO-s. Po dëshmojmë një përpjekje masive nga Rusia për të minuar demokracinë dhe për të dobësuar Republikën e Moldavisë. Ata po përdorin mjete shumë të fuqishme si propaganda, dezinformimi, pagesat dhe transfertat për të blerë vota,"-tha kryeministri moldav Dorin Recean në një konferencë për shtyp në fund të takimit të nëntë të Këshillit të Asociimit BE-Moldavi në Bruksel.
Kryeministri moldav i referohet strategjisë së Rusisë për të marrë nën kontroll këto vende, duke sponsorizuar aty aktorë pro rusë të cilët më pas vijnë në pushtet si një qeveri kukull që i shërben interesave të Kremlinit.
Moldavia, një ish-republikë sovjetike me 2.5 milionë banorë, ka kërkuar vazhdimisht që Rusia të tërheqë forcat e saj nga Transnistria, një kërkesë e mbështetur nga një rezolutë e OKB-së e vitit 2018 që Moska e ka injoruar. Transnistria, e cila nuk ka dalje në det, është e rrethuar nga Moldavia dhe Ukraina, që do të thotë se çdo përforcim i konsiderueshëm nga Rusia ka të ngjarë të kërkojë një korridor tokësor, një qëllim strategjik që disa komandantë ushtarakë rusë e diskutuan hapur në ditët e para të pushtimit të Ukrainës, shkruajnë mediat e huaja.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka paralajmëruar gjithashtu se Moldavia mund të bëhet “Ukraina e ardhshme”, duke akuzuar presidenten Maia Sandu se po “nxitet” për t’u bashkuar me NATO-n dhe duke thënë se Rusia nuk do të lejojë që 220,000 qytetarët e saj që jetojnë në Transnistri të bëhen “viktima të një aventure tjetër perëndimore”./ZËRI