
BRAZIL- Një grua ka bërë realitet misionin e saj të jetës duke vendosur pas hekurave vrasësin e babait të saj. Gislayne Silva de Deus ishte vetëm 9 vjeç kur babai i saj, Gilvado, u qëllua për vdekje pas një sherri për një borxh prej 66 dollarësh. Raimundo Gomes qëlloi në kokë me armë zjarri babain e saj, Gilvado, vetëm 35 vjeç, duke e lënë nënën e Gislayne, të ve dhe pesë vajzat e tij jetime.
Ai u arratis dhe nuk u gjet nga Policia. Gislayne, nga ana tjetër, nuk mund të pranonte faktin se vrasësi i babait të saj endej i lirë. Kjo e shtyu 36-vjeçaren t'i kushtonte jetën e saj gjetjes së personit dhe të sigurohej që ai të mos shpëtonte nga dënimi. Deus në moshën 18-vjeçare fitoi një vend në shkollën juridike dhe shtatë vite më vonë, ajo u bë një avokate. Por në 2022, ajo ndërroi profesionin e saj dhe u bë oficere policie.

Në atë kohë, urdhërarresti i fundit për Gomes ishte lëshuar në vitin 2019. Lufta e përjetshme e Gislayne për drejtësi më në fund u shpagua javën e kaluar kur ajo dhe ekipi i saj kapën vrasësin e Gilvados në Brazilin verior. Sipas mediave të huaja, ajo e gjurmoi në një strehëz toke bujqësore që ndodhej në periferi të Boa Vista. Më pas, ndau pamjet e përballjes me Gomes një çerek shekulli pasi ai i vrau babanë.
“Sot unë, familja ime dhe babai kemi paqe dhe ndjenjën se drejtësia është vënë në vend. Arrestimi i tij përfaqëson jo vetëm dëmshpërblimin e një padrejtësie, por edhe fuqinë e këmbënguljes në emër të drejtësisë” tha 36- vjecarja.
Pas arrestimit të tij, Gomes është dënuar me 12 vite burg për vrasjen e vitit 1999, një dënim i cili ishte vendosur tashmë nga Gjykata Jurie e Gjykatës së Drejtësisë së Roraima ndërsa ai ishte ende në arrati./ ZËRI