FRANCË-Franca po përballet me një skandal abuzimi me fëmijët, ndërsa dhjetëra kopshte shtetërore dhe shkolla fillore po hetohen për dhunë, sulme seksuale dhe përdhunim, shkruan The Guardian. Policia e Parisit po shqyrton më shumë se 100 akuza për keqtrajtim, dhunë fizike dhe përdhunim të fëmijëve deri në tre vjeç nga stafi i shkollës gjatë pushimeve të drekës, kohës së gjumit dhe aktiviteteve pas shkolle.
"Kemi hetime në vazhdim në 84 parashkolla, rreth 20 shkolla fillore dhe rreth 10 qendra kujdesi ditore”, tha kryeprokurorja e Parisit, Laure Beccuau. Avokatët thanë se hetimet përfshinin përdhunimin e dyshuar të fëmijëve të moshës tre dhe katër vjeç.
Stafi i kujdesit i shkollave, përbëhet nga të rritur që janë përgjegjës për fëmijët gjatë drekës, pushimit, dremitjeve dhe aktiviteteve pas shkolle, ndonjëherë duke kaluar më shumë kohë me fëmijët sesa mësuesit. Ata nuk punësohen drejtpërdrejt nga shkollat ose ministria e arsimit, por rekrutohen nga bashkia ose autoritetet lokale - shpesh pa trajnim ose diploma profesionale dhe gjithnjë e më shumë në baza rastësore, ku shumë prej tyre paguhen me orë.
Konkretisht akuzat përfshijnë bërtitje ndaj fëmijëve, shtyrje, tërheqje flokësh, mohim të ushqimit, detyrim për të ngrënë derisa të vjellin dhe sulme seksuale ose përdhunime. Lidhur me rastin, Emmanuel Grégoire , kryebashkiaku i ri i Parisit, ka lançuar një plan prej 20 milionë eurosh (17.3 milionë paund) për të trajtuar atë që ai e quajti "mosfunksionim i madh" në sistemin e monitorimit të shkollave të qytetit.