MAL I ZI- Mali i Zi prej më shumë se një muaji po përballet me një skandal publik që ka në qendër pamje erotike, në të cilat dyshohet se shfaqen ish-zyrtarët shtetërorë Dejan Vukšić dhe Mirjana Pajković. Pas publikimit dhe shpërndarjes masive të përmbajtjes në rrjetet sociale, të dy kanë dhënë dorëheqje nga funksionet e tyre, ndërsa çështja është shoqëruar me akuza të ndërsjella, kallëzime penale dhe pretendime për kërcënime.
Sipas mediave në Mal të Zi, ekzistojnë informacione se në këtë skandal mund të jetë i përfshirë edhe një person i tretë, konkretisht ish-drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe ish-këshilltar i presidentit të Malit të Zi për çështjet e sigurisë.
Për zhvillimet e fundit ka folur për median serbe Kurir kryeredaktori i TV Adria Mali i Zi, Đorđe Savović, i cili e cilëson situatën si një dëm serioz për imazhin institucional të shtetit.
“Mali i Zi është shndërruar në një lloj reality show që transmetohet drejtpërdrejt. Asnjëherë nuk është folur kaq shumë për një rast të tillë, ndërkohë që vendi përballet me probleme shumë më të mëdha. Faktohet se protagonistët janë ish-zyrtarë shtetërorë dhe ekziston indikacion se në këtë çështje është i përfshirë edhe ish-drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare”, deklaroi Savović.
Ai shtoi se, paralelisht me këtë skandal, Mali i Zi përballet me sfida serioze politike dhe ekonomike, përfshirë pasigurinë mbi stabilitetin e qeverisë, negociatat me Bashkimin Evropian, problemet me krimin e organizuar dhe korrupsionin, mungesën e gjyqtarëve, si dhe vështirësi në furnizimin me ilaçe dhe bllokime në pikat kufitare nga transportuesit.
Skandali lindi kur në rrjetet sociale u shfaqën video intime ku shihej Pajković në atë kohë sekretare e Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve dhe, me sa duket, Vukšić.
Në fund të vitit të kaluar, Pajkoviq ngriti tre padi penale kundër Vukshiqit, duke e akuzuar atë për shpërndarje të paautorizuar të regjistrimeve eksplicite të saj. Nga ana tjetër, Vukšić, kur paraqiti dorëheqjen e tij, njoftoi se Pajković i vodhi telefonin celular në tetor 2024, i cili, siç pretendon ai, është keqpërdorur më pas.
Prokuroria në Mal të Zi ka bërë të ditur se ka nisur hetimet paraprake për të sqaruar rrethanat e rastit dhe për të identifikuar përgjegjësit./ZËRI