
MAL I ZI- Skena politike malazeze është tronditur kohët e fundit nga skandale seksuale, të publikuara gjerësisht në rrjete sociale. Dy muaj më parë qarkulluan kudo video intime të ish-Drejtoreshës në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut në Mal të Zi, Mirjana Pajkoviç, ndërsa në publik nisën të përfliten edhe emra zyrtarësh të lartë që dyshohej se mund të ishin të përfshirë në këto materiale.
Mes emrave të përmendur ishte edhe Dejan Vukshiç, ish-drejtor i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së Malit të Zi dhe aktualisht këshilltar i presidentit Jakov Milatoviç. Por pamjet në fjalë shkaktuan reagime të shumta dhe ngritën dyshime se në to mund të përfshiheshin edhe figura të tjera politike, përfshirë ish-kryeministrin Dritan Abazoviç.
Ky i fundit reagoi së fundmi gjatë një interviste televizive, ku mohoi kategorikisht çdo përfshirje në videot që kanë qarkulluar. Ish-kryeministri i cilësoi publikimet si tentativa për diskreditim dhe sulme politike, ndërsa shtoi se pas këtyre skandaleve qëndrojnë persona të lidhur me krimin e organizuar.
“Nuk ka asgjë aty. Nuk jam fare aty. Kam kaluar nëpër shumë sita. Për mua ishte avantazh që gjatë gjithë këtyre viteve nuk kam qenë njeri familjar. E kuptova menjëherë çfarë donin të bënin këta njerëz nga krimi i organizuar. Kam qenë gjithmonë mbi situatën. Jam shumë, shumë i kënaqur”, deklaroi Abazoviç.
Por, pas deklaratave të Abazoviç nuk vonoi reagimi i protagonistes, Mirjana Pajkoviç. Kjo e fundit publikoi një video në Tik Tok dhe i kërkoi ish-kryeministrit të mos e përmendë më emrin. Në reagimin e saj, ish-drejtoresha përmendi edhe emra të tjerë, ish-zyrtarë.
“Po mbi çfarë je ti, Dritan? Hajde na trego pak. Mos ma përmend më emrin. Nëse nuk je i sigurt që s’duhet të më përmendësh, pyet Filipin”, tha ajo, duke iu referuar Filip Axhiqit, ish-ministrit të Brendshëm të Malit të Zi.
Më pas ajo përmendi edhe Dejan Vukshiçin, ish-drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (ANB), të cilin Abazoviç e kishte shkarkuar gjatë kohës sa ishte kryeministër.
“Ose pyet ‘Plakun’ nga ANB-ja, Dejan Vukshiçin, që e shkarkove, por më pas përfunduat në të njëjtin koalicion politik”, deklaroi Pajkoviç.
Ajo hodhi edhe akuza ndaj njerëzve pranë qeverisë së dikurshme të Abazoviçit, duke pretenduar se komunikime të përgjuara të saj janë dorëzuar në Agjencinë Kombëtare të Sigurisë dhe në Prokurorinë Speciale të Malit të Zi.
“Ai do ta konfirmojë që mes njerëzve të tu kishte nga ata shumë problematikë, pikërisht gjatë qeverisë tënde. Por ti nuk e kupton këtë, sepse je ‘mbi situatën’”, u shpreh ajo.
Pajkoviç ka insistuar gjithmonë se ky rast nuk është një skandal seksual por një krim kibernetik dhe shkelje e të drejtave kushtetuese.
Skandalet në Mal të Zi shpërthyen kur në rrjetet sociale u shfaqën video intime ku shihej Pajkoviç në atë kohë sekretare e Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve dhe, me sa duket, Vukšić. Në fund të vitit të kaluar, Pajkoviq ngriti tre padi penale kundër Vukshiqit, duke e akuzuar atë për shpërndarje të paautorizuar të regjistrimeve eksplicite të saj. Nga ana tjetër, Vukšić, kur paraqiti dorëheqjen e tij, njoftoi se Pajković i vodhi telefonin celular në tetor 2024, i cili, siç pretendon ai, është keqpërdorur më pas./ZËRI