SPANJË- Një aksidenti i rëndë hekurudhor ka ndodhur në Spanjë, ku 39 persona kanë humbur jetën dhe dhjetra të tjerë kanë mbetur të plagosur, si pasojë e përplasjes së trenave në jug të vendit.
Ky është aksidenti më i rëndë hekurudhor në vend në më shumë se një dekadë, sipas Gardës Civile spanjolle.
Një tren që po udhëtonte drejt Madridit doli nga shinat dhe kaloi në binarët e kundërt, ku u përplas me një tren tjetër që po vinte përballë, në Adamuz, pranë qytetit të Kordobës. Në të dy trenat ndodheshin rreth 400 pasagjerë dhe anëtarë të stafit.
Shërbimet e emergjencës të Andaluzisë njoftuan se të paktën 73 persona janë dërguar në spital, 24 prej tyre në gjendje të rëndë, përfshirë katër fëmijë.
Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, e përshkroi incidentin si “jashtëzakonisht të çuditshëm”, ndërsa autoritetet kanë nisur një hetim për shkaqet e aksidentit.
Ha volcado por completo el último vagón. pic.twitter.com/EgzOhMReko
— Adri Vélez ???????????? (@ibuprofeno600mg) January 18, 2026
Treni i përfshirë në aksident ishte i tipit Freccia 1000, i cili mund të arrijë shpejtësi deri në 400 km/orë. Ekipet e shpëtimit thanë se rrënojat e deformuara e bënë shumë të vështirë nxjerrjen e personave të bllokuar brenda vagonëve.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, deklaroi se vendi po përjeton “një natë dhimbjeje të thellë”. Mbreti Felipe VI dhe Mbretëresha Letizia shprehën ngushëllimet e tyre për familjarët e viktimave dhe uruan shërim të shpejtë për të plagosurit.
Të gjitha shërbimet hekurudhore mes Madridit dhe Andaluzisë u pezulluan pas aksidentit dhe pritet të mbeten të mbyllura gjatë gjithë ditës së hënë. Shkaku zyrtar i përplasjes ende nuk dihet dhe hetimi pritet të zgjasë të paktën një muaj.
Spanja ka rrjetin e dytë më të madh të hekurudhës me shpejtësi të lartë në botë, pas Kinës, duke lidhur mbi 50 qytete në të gjithë vendin.
Në lidhje me tragjedinë e rëndë që goditi Spanjën, ka pasur një reagim dhe nga kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili i ka shprehur ngushëllimet homologut të tij Pedro Sanchez.
Përmes një mesazhi në “X”, Rama shprehu ngushëllimet e tij më të thella për familjet e viktimave dhe solidaritetin me popullin dhe Qeverinë e Spanjës.
“I dashur Pedro, me trishtim të thellë kam marrë lajmin për aksidentin tragjik hekurudhor të ndodhur në Adamuz.
Në emër të popullit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe solidaritetin tim me popullin dhe Qeverinë e Spanjës në këtë moment dhimbjeje.
Mendimet tona janë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre dhe me të gjitha ekipet që po punojnë pa u lodhur në përballimin e kësaj tragjedie“, shkruan Rama në mesazhin e tij./ZËRI