
SHKUP- Ka shkuar në 60 numri i viktimave të tragjedisë së Koçanit. Sot ka ndërruar jetë edhe 29-vjeçari Aleksandar Karadakovski, njëri nga 4 pacientët që ishin në gjendje kritike për jetën. Ai u trajtua në Lituani, por nuk i mbijetoi dot plagëve të marra nga zjarri. Drejtori i spitalit “Shën Naum Ohërski”, Nebojsha Nastov tha se i ndjeri, menaxheri i klubit ku edhe ndodhi tragjedia, kishte pasur djegie të rënda në kokë, qafë dhe gjymtyrë.
Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e dha ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
“Fjala është për Aleksandar Karadakovskin, i cili është 29 vjeç dhe është trajtuar në Lituani. Dua t'i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes. Lajmi i mirë për sot është se nga gjithsej 100-98 pacientë që janë duke u trajtuar, kanë mbetur vetëm 78 pacientë të cilët po trajtohen këtu në Shkup dhe jashtë vendit. Janë të shëruar 14 pacientë sot në Shkup, 14 pacientë janë në gjendje të mirë. kurse në Shkup janë vetëm 9 pacientë që janë duke u shëruar,”- thotë Arben Taravari.
Për shkak se u nda nga jeta, Prokuroria Themelore Publike-Koçan e ndërpreu hetimet ndaj Aleksandar Karadakovskit, i cili ishte menaxher i diskotekës "Pulse".
“Meqenëse viktima e 60-të e sotme nga zjarri katastrofik në Koçan është një person i cili edhe më herët ka qenë i përfshirë në procedurë hetimore, në cilësinë e menaxherit të personit juridik, Prokuroria Themelore Publike Koçan do të lëshojë urdhëresë për ndërprerjen e procedurës hetimore ndaj tij, pas pranimit të dokumentacionit zyrtar për shkakun e vdekjes,”- thonë nga Prokuroria e Koçanit.
Pas vdekjes së Karadakovskit, i cili ishte një nga pacientët në gjendje kritike, Taravari tha se edhe 3 pacientë të tjerë që po trajtohen jashtë vendit janë në gjendje të rëndë. Por nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me gjendjen e tyre dhe atë ç'ka thonë mjekët.
Në orën 3 të mëngjesit të 16 marsit një klub nate në Maqedoninë e Veriut u përfshi nga flakët. Si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën 59 persona dhe 155 të tjerë janë plagosur. Në ambientet e lokalit ishin mbi 1500 persona, të cilët po ndiqnin një koncert muzikor. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike. Deri më tani janë ndaluar 15 persona, mes të cilëve edhe zyrtarë shtetërorë, ndërsa mbrëmë janë caktuar masa e paraburgimit për dhjetë persona. Disa nga të dyshuarit janë lënduar nga zjarri dhe ndodhen në spital./ZËRI