Bota

Trazira në burgun e Xhenovës! Dhjetëra të burgosur dalin jashtë qelive, dy oficerë të plagosur

Ndër hipotezat rreth trazirave, është ajo e një larjeje hesapesh midis të burgosurve pas një sulmi që ndodhi ditët e fundit.

F.I
Trazira në burgun e Xhenovës! Dhjetëra të burgosur dalin
PAMJE NGA NGJARJA

ITALI-Rreth 200 të burgosur në burgun Marassi, në Xhenova të Italisë, nisën një trazirë pasditen e kësaj të mërkure. Mediat fqinje raportojnë se dhjetëra të burgosur kanë dalë nga qelitë e tyre dhe disa kanë arritur te barriera që i paraprin murit rrethues.

Disa njësi të policisë së burgut kanë ndërhynë, teksa Policia ka organizuar një kordon sigurie edhe jashtë burgut, në rast se do të arrijë ndonjë prej të burgosurve të arratiset. Dy oficerë u plagosën gjatë këtyre trazirave, ku të dy u dërguan në Spitalin Galliera. Jashtë mureve të burgut, ka karabinierë, policë dhe Guardia di Finanza me pajisje speciale. Po ashtu katër ambulanca janë në vendngjarje.

Trazirat shpërthyen kur një grup të burgosurish u rebeluan kundër oficerëve, duke shkaktuar kaos. Ndër hipotezat rreth trazirave, është ajo e një larjeje hesapesh midis të burgosurve pas një sulmi që ndodhi ditët e fundit.

“Duket se gjashtë të burgosur ditët e fundit kanë përdhunuar një të burgosur tjetër, i cili mbrëmë do të duhej të dërgohej në spitalin e qytetit për trajtim. Policia e Burgjeve, tashmë e rraskapitur në forcë dhe e tmerruar në moral, po përpiqet me vështirësi jo të vogla të përmbajë trazirat, duke pritur përforcime. E gjithë kjo është shenja e prekshme e gjendjes së degradimit të burgjeve, e cila nuk mund të adresohet vetëm me ndërhyrje represive, siç është futja e krimit të trazirave, por mbi të gjitha duke vepruar në parandalim përmes humanizimit të kushteve të punës së operatorëve dhe të paraburgimit”, tha Gennarino De Fazio, sekretar i përgjithshëm i Policisë së Burgjeve të Uilpës.

Autoritetet po hetojnë dhe masat janë shtuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB