SHBA-Presidenti Donald Trump deklaroi se SHBA "i kanë dhënë fund luftës me Iranin". Trump njoftoi se do të zgjidhte konfliktin dhe do të rihapte Ngushticën e Hormuzit. Presidenti amerikan tha se JD Vance mund të marrë pjesë në një ceremoni nënshkrimi në Evropë në ditët në vijim.
"Ne i dhamë fund luftës me Iranin. Ata ranë dakord të mos kishin kurrë armë bërthamore, një kusht për të cilin ne këmbëngulëm. Ky ishte i gjithë qëllimi; kjo ishte 95 përqind e qëllimit”, tha Donald Trump.
Por nga ana tjetër, pavarësisht deklaratës së Trump, zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Iranit ka thënë se vendi ende nuk ka arritur në një vendim përfundimtar për ndonjë marrëveshje. Zëdhënësi tha se raportet për një marrëveshje ishin "thjesht spekulime".
“Probabiliteti i mashtrimit nga Trump është i lartë”, tha ligjvënësi Ebrahim Rezaei, zëdhënës i Komitetit të Sigurisë Kombëtare dhe Politikës së Jashtme të parlamentit iranian, në një postim në X. Ai shtoi se presidenti amerikan “dëshiron ta mbajë situatën të qetë për momentin”.
Izraeli nuk është pjesë e këtyre negociatave. Zyra e shtypit e kryeministrit Benjamin Netanyahu shprehu vlerësimin për angazhimin e Trump në një reagim për media.
"Presidenti Trump foli me Netanyahun sonte në mbrëmje rreth memorandumit të mirëkuptimit që po finalizohet me Iranin për të filluar negociatat. Ndërsa Izraeli nuk është palë në memorandum, Netanyahu shprehu vlerësimin e tij për angazhimin e Presidentit Trump për të siguruar që marrëveshja përfundimtare të përfshijë eliminimin e materialeve të pasuruara, çmontimin e infrastrukturës së pasurimit, kufizimin e prodhimit të raketave dhe ndërprerjen e mbështetjes së Iranit për bashkëpunëtorët e tij", citon Zyra e Kryeministrit izraelit shtypin izraelit.
Një ditë më parë (11 qershor) Trump u zotua se do të merrte ishullin Kharg, i cili përpunon afërsisht 90% të eksporteve të naftës bruto të Iranit. Teherani tha se shënjestroi bazat amerikane në rajon gjatë natës për të dytën ditë radhazi, pas sulmeve të SHBA-së në të gjithë Iranin./ZËRI