SHBA-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur të tërheqë vendin nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), ka bërë të ditur një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CNN.
“Presidenti Trump ka vendosur të tërhiqet nga UNESCO – një organizatë që mbështet kauza kulturore dhe sociale ‘woke’, të përçara dhe të shkëputura nga politikat e shëndosha për të cilat amerikanët votuan në nëntor,” u shpreh zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly.
Ky vendim përbën një goditje për UNESCO-n, një agjenci me qendër në Paris e themeluar pas Luftës së Dytë Botërore me synimin për të promovuar paqen përmes bashkëpunimit ndërkombëtar në fushat e arsimit, shkencës dhe kulturës. Ndër iniciativat më të njohura të UNESCO-s janë shpallja e Vendeve të Trashëgimisë Botërore.
SHBA ishte një ndër themeluesit e UNESCO-s në vitin 1945, por u tërhoq për herë të parë në vitin 1984, duke akuzuar agjencinë për menaxhim të dobët financiar dhe paragjykim ndaj interesave amerikane. Pas rreth 20 vitesh, në vitin 2003, nën administratën e presidentit George W. Bush, SHBA u rikthye në UNESCO, pasi agjencia kishte ndërmarrë reforma të rëndësishme.
Aktualisht, SHBA mbulon rreth 8% të buxhetit të përgjithshëm të UNESCO-s, një rënie e ndjeshme krahasuar me 20% që kontribuonte para tërheqjes së parë të ndërmarrë nga Trump gjatë mandatit të tij të parë. Kjo tërheqje pritet të ketë pasoja të mëdha si për funksionimin e UNESCO-s, ashtu edhe për rolin e SHBA në bashkëpunimin global për çështje kulturore dhe arsimore./ZËRI