TEHERAN- Mes thashethemeve dhe skenarëve rreth shëndetit të tij, ku ka pasur edhe raporte se ai madje është në koma pasi u plagos në një sulm amerikano-izraelit), udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, dha mesazhin e tij të parë pasi u zgjodh si zëvendësues i babait të tij.
Me një ton të ashpër, ai premtoi hakmarrje për "të gjithë gjakun iranian që është derdhur deri më sot". Khamenei theksoi gjithashtu se Ngushtica e Hormuzit do të mbetej e mbyllur, ndërsa tha se marrëdhëniet miqësore me shtetet fqinje do të ruheshin, por sulmet ndaj bazave amerikane do të vazhdonin.
"Shërbëtori juaj, Sejjid Mojtaba Hosseini Khamenei, mësoi për rezultatin e votimit të Asamblesë së Ekspertëve në të njëjtën kohë me ju, nëpërmjet Televizionit të Republikës Islamike. Është e vështirë për mua të qëndroj në vendin e dy udhëheqësve të mëdhenj, Khameinit të madh dhe martirit Khamenei", shkroi udhëheqësi i ri suprem i Iranit.
"Pata privilegjin të vizitoja trupin e tij (të babait të tij) pas martirizimit të tij. Ajo që ndjeva ishte një forcë e madhe dhe pash se dora e tij e shëndetshme ishte e shtrënguar në grusht".
Duke iu drejtuar popullit të Iranit, ai tha se "mendja dhe inteligjenca e kombit të madh iranian, stabiliteti, guximi dhe prania e tij, i bënë miqtë të admirojnë dhe armiqtë të habiten. Ju, populli, ishit ata që udhëhoqët vendin dhe garantuat autoritetin e tij", ndërsa shtoi se "rruga drejt çlirimit nga regjimi zionist do të jetë e shkurtër".
Po ashtu ai dërgoi mesazhe edhe për Houthët dhe Hezbollahun: Pa dyshim, solidariteti i komponentëve të frontit të rezistencës do ta shkurtojë rrugën drejt çlirimit nga kryengritja zioniste. Jemeni i guximshëm dhe besnik nuk ka ndaluar së mbrojturi popullin e shtypur të Gazës, dhe Hezbollahu i përkushtuar ka nxituar të ndihmojë Republikën Islamike pavarësisht të gjitha pengesave, dhe rezistenca irakiane ka ndjekur me guxim të njëjtën linjë".
Reagimi i tij, vjen një kohë ku u raportua se djali 56-vjeçar i Ajatollah Ali Khameneit të vrarë, është në koma pasi mbeti i bllokuar në një shpërthim. Ai thuhet se ka humbur të paktën një këmbë dhe gjithashtu ka pësuar dëmtime serioze në stomak ose mëlçi./ZËRI