
BOGOTA- Dëbimi masiv i emigrantëve amerikano-latinë shkaktoi bujë dhe debate të forta mes qeverive. Përveç krerëve të qeverive të Amerikës Jugore dhe fëmijët e tyre janë përfshirë në konflikt. Më e fundit ishte ndërhyrja e vajzës së presidentit të Kolumbisë, Andrea Petro, në konfliktin e vendit të saj me Uashingtonin për çështjen e dëbimeve.
Në postimin e saj në X, Andrea Petro paralajmëroi se Kolumbia do të dërgojë në SHBA çdo amerikan që vjen në vend në kërkim të seksit, për çdo kolumbian të dëbuar nga toka amerikane.
“Për çdo kolumbian të dëbuar, ne do të kthejmë një amerikan që vjen në vendin tonë për seks”, shkroi 33-vjeçarja në postimin e saj me një delfin që hidhet nga deti.
Petro i referohet lagjes "të kuqe" të qytetit të Medellín, e cila mbledh turistët që udhëtojnë në Kolumbi për seks.
Siç njoftoi Shtëpia e Bardhë të hënën, Kolumbia ka pranuar kushtet e vendosura nga Trump për riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm, duke shtuar se si rrjedhojë janë pezulluar tarifat dhe sanksionet që ishin shpallur më herët ndaj vendit të Amerikës Latine.
“Qeveria kolumbiane ka pranuar të gjitha kushtet e Presidentit Trump, duke përfshirë pranimin e pakufizuar të të gjithë të huajve të paligjshëm nga Kolumbia, të cilët ripranohen nga SHBA, përfshirë ata të transportuar me avionë ushtarakë, pa kufizim apo vonesë. Tarifat dhe sanksionet do të rikthehen nëse Bogota shkel marrëveshjen", tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Kolumbisë, Luis Hilberto Murillo, foli për një “ngërç” të “kapërcyer”.
"Ne do të vazhdojmë të mirëpresim burrat dhe gratë kolumbiane që kthehen si të dëbuar në vend", tha ministri në një konferencë për shtyp.
Ndërhyrja e 32-vjeçares Andrea, megjithatë, nuk duhet cilësuar si surprizë, pasi në një intervistë në janar 2024 ajo u shpreh për babain e saj, Gustavo Petros, se “ai është njeriu më i rëndësishëm i jetës sime”. Vetë ajo është tejet aktive në rrjetet sociale me mijëra ndjekës, teksa është kujdesur që në fazën e hershme të jetojë e pavarur nga babai i saj, pasi është zhvendosur në Francë që nga viti 2012.
Siç tha Andrea, vendimi i saj për t'u larguar në Evropë nuk kishte të bënte vetëm me perspektivat akademike në Kontinentin e Vjetër, por edhe me nevojën për t'i shpëtuar bullizimit dhe etiketimeve në Kolumbi. Andrea tha se në shkollë atë e quanin "komuniste". Megjithatë, jetesa në Francë nuk ishte e lehtë, pasi Andrea Petro u fut ilegalisht në vend. Megjithatë, ajo shpejt mori dokumente duke u punësuar si kamariere në McDonald's. Kjo përvojë e shtyu atë të themelonte Organizatën Kolumbiane për Emigrantët (OCM) me synimin për të ndihmuar kolumbianët që jetojnë jashtë vendit. Andrea është divorcuar dhe nënë e dy vajzave. Duke folur për karakterin e saj ajo e ka cilësuar veten si “revolucionare dhe “jo diplomate”.
“I ngjaj babait tim dhe i them gjërat siç i shoh. Ai është njeriu më i rëndësishëm i jetës sime, por është edhe politikan. Kur flet e besoj, por sepse jemi personazhe të ngjashëm, shpesh zihemi. Unë jam më e bazuar në fakte dhe ai është më utopist”, tha 32-vjeçarja./ZËRI