BRITANI- Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka njoftuar se Mbretëria e Bashkuar e ka njohur zyrtarisht Palestinën si shtet, duke iu bashkuar Kanadasë dhe Australisë në përpjekjen ndërkombëtare për të rigjallëruar shpresën për paqe në Lindjen e Mesme dhe për të mbështetur zgjidhjen me dy shtete.
“Sot, për të ringjallur shpresën për paqe dhe një zgjidhje me dy shtete, deklaroj qartë - si kryeministër i këtij vendi të madh - se Mbretëria e Bashkuar njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës”, deklaroi Starmer.
Kanadaja dhe Australia gjithashtu njohën zyrtarisht shtetësinë palestineze të dielën.
Kryeministri Mark Carney thotë se që nga sot, "Kanadaja njeh shtetin e Palestinës".
Në një deklaratë të postuar në llogarinë e tij X, Carney thotë: "Kanadaja njeh Shtetin e Palestinës dhe ofron partneritetin tonë në ndërtimin e premtimit të një të ardhmeje paqësore si për Shtetin e Palestinës ashtu edhe për Shtetin e Izraelit."
Australia ka ndjekur vendimin e Kanadasë për të njohur Palestinën si shtet sovran, shkruan kryeministri Anthony Albanese. Ai thotë se kjo është pjesë e një përpjekjeje të përbashkët së bashku me Kanadanë dhe Britaninë dhe do të formojë "një përpjekje ndërkombëtare për një zgjidhje me dy shtete".
Më poshtë mund ta shihni letrën e plotë të Albanese-s.
Starmet paralajmëroi në korrik se Mbretëria e Bashkuar do të ndryshonte qëndrimin e saj nëse Izraeli nuk përmbushte disa kushte, duke përfshirë rënien dakord për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe angazhimin për një proces paqeje afatgjatë që çon në një shtet palestinez që bashkëjeton me Izraelin.
Ai e bëri të qartë se Mbretëria e Bashkuar do ta njihte Palestinën përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet në New York, nëse situata nuk përmirësohet.
Udhëheqja izraelite e ka përjashtuar këtë mundësi që nga fillimi i luftës pas sulmit të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë 1,200 persona dhe 251 u morën peng.
Lëvizja e kryeministrit ka tërhequr kritika të ashpra nga qeveria izraelite, familjet e pengjeve të mbajtura në Gaza dhe disa konservatorë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu më parë tha se njohja e një shteti palestinez "shpërblen terrorin".
Burime qeveritare britanike thonë se situata në terren në Gaza është përkeqësuar ndjeshëm javët e fundit, me imazhe të rënda të urisë dhe dhunës, të cilat Starmer i ka përshkruar si “të padurueshme”.
Britania bëhet kështu një nga fuqitë e mëdha të para të G7-ës që njeh shtetin palestinez, pas Francës, Australisë dhe Kanadasë./ZËRI