
BEOGRAD- Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka provokuar Pernëdimin teksa po ndiqte ndeshjen e Serbisë me Zvicrën në Leskoc në kuadër të Ligës së Kombeve. Ndeshja përfundoi me rezultatin 2:0 në favor të Serbisë, duke shënuar kështu fitoren e parë për Ligën e Kombeve. Për të festuar fitoren e vendit të tij, Vuçiç së bashku me presidentin e Republikës Srpska, Millorad Dudik, ka nxjerrë nga xhepi flamujt e bashkuar të Serbisë dhe Rusisë. Videoja u publikua në rrjetin social X nga politikani serb Nikolla Sanduloviç.
Sanduloviç shkruan se Vuçiç po luan me Perëndimin dhe po u bën premtime të pavërteta, pasi do të jetë gjithmonë besnik ndaj Rusisë.
“Nuk e di se çfarë duhet të bëjë më shumë diktatori serb Aleksandar Vuçiç që Evropa dhe Amerika të kuptojnë se ai po luan me ta në gënjeshtrat dhe premtimet e pafundme që u jep, duke blerë kështu kohë për përballjen përfundimtare me ta! Ai ishte, mbeti dhe do të jetë përgjithmonë një pasardhës rus dhe bashkëpunëtor besnik i tyre! Në ndeshjen e futbollit ndërmjet Serbisë dhe Zvicrës, në shoqërinë e agjentit të Putinit, Milorad Dodik, Aleksandar Vuçiç nxori nga xhepi dhe shpalosi flamujt e kombinuar të Serbisë dhe Rusisë!
Një mesazh i qartë për popullsinë e Serbisë se si të interpretohen lëvizjet e tij të fundit politike: “Ne ishim dhe do të jemi aleatët e Rusisë, sidomos tani që po përpiqemi të jemi kali “i Trojës” i Rusisë në Perëndim”! Perëndimi ende nuk e kupton thellësinë e ndikimit rus në Serbi dhe se vendimet formale nuk do të thonë asgjë për politikën që është thellësisht e sinkronizuar me Kremlinin. Të gjitha lëvizjet e fundit politike (blerja e avionëve Rafal, “mesazhet evropiane”, litiumi) janë të koordinuara me Moskën, ku nënkryetarët e qeverisë serbe patën takime të gjata me lidershipin më të lartë të Rusisë (Putin, Reshetnikov, Shoigu, Denis Manturov) para çdo vendimi dhe mesazhi politik “properëndimor” të marrë nga Aleksandër Vuçiç. Tani, pas takimeve me administratën amerikane, Vuçiç valëvit flamurin rus me mesazhin: “Nuk do të më shihni kurrë duke valëvitur flamurin europian apo amerikan”, shkruan Sanduloviç. /ZËRI