Bota

Jeta lukzoze e Ylli Didanit në Republikën Domenikane/ Gjykata në SHBA: Bleu tokë buzë detit tre milionë dollarë

Sipas prokurorisë, ai kishte blerë një truall toke buzë detit në Republikën Domenikane me vlerë tre milionë dollarë, duke përdorur të ardhurat nga trafiku i drogës.

l.k
Jeta lukzoze e Ylli Didanit në Republikën Domenikane/ Gjykata në
Ylli Didani dhe jeta lukoze e tij

SHBA- Gjykata në SHBA ka zbuluar se i dënuari shqiptar Ylli Didani, kreu i një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës, kishte bërë një jetë luksoze në Republikën Domenikane.

Sipas prokurorisë, ai kishte blerë një truall toke buzë detit në Republikën Domenikane me vlerë tre milionë dollarë, duke përdorur të ardhurat nga trafiku i drogës. Po ashtu, ai dyshohet se e përdori këtë blerje si pjesë të një skeme për pastrimin e parave, ku kishte transferuar më shumë se 200 mijë dollarë përmes një sistemi të paligjshëm të njohur si “metoda simbolike”, si pjesë e procesit për finalizimin e blerjes së pronës.

Pagesa u lehtësua nga rrjete të pastrimit të parave të lidhura me krimin e organizuar kinez, të njohur si “los Chinos”, të cilët menaxhojnë lëvizjen e të ardhurave nga trafiku i drogës në nivel global.

Çështja përfundoi me një vendim fajësie kundër Didanit, 43 vjeç, për trafik kokainë, trafik droge në anije që i nënshtrohen juridiksionit të SHBA-së dhe komplot për pastrim parash. Ai u dënua me 25 vite burg, pasi autoritetet amerikane e identifikuan si udhëheqës të një organizate me operacione në SHBA, Amerikën e Jugut dhe Evropë, të përfshirë në transportimin e sasive të mëdha të kokainës.

Hetimi nisi në janar 2015 dhe autoritetet thanë se Didani kishte lidhje me SHBA, Kolumbinë, Ekuadorin, Meksikën, Kanadanë, Kilin, Shqipërinë, Turqinë, Brazilin, Gjermaninë, Republikën Domenikane, Emiratet e Bashkuara Arabe, Belgjikën, Spanjën dhe Holandën.

Sipas dosjes, në vitin 2015 ai u ndalua në aeroportin O’Hare në Çikago, ku gjatë kontrollit të telefonit iu gjetën foto me sasi të mëdha parash dhe armë. Ai deklaroi se ishte në SHBA për vizitë të shkurtër dhe se merrej me biznes qymyri.

Në vitin 2016 u ndalua sërish, ku autoritetet gjetën mesazhe të koduara për “para të pastra”, telefona të fshehtë dhe foto që tregonin pako të dyshuara si kokainë.

Hetuesit thanë se një biznesmen nga Grosse Pointe Park financonte pjesërisht aktivitetin e tij me qindra mijëra dollarë, të pastruara përmes çekëve dhe transferimeve.

Më vonë, Didani kërkoi investitorë të rinj dhe vazhdoi aktivitetin në disa vende, duke përdorur kompani transporti dhe rrjete kontrabande.

Si rezultat i hetimit, në vitet 2019 dhe 2020 u sekuestruan mbi 4,300 kilogramë kokainë që organizata e tij kishte ngarkuar në pesë anije kontenierësh. Vlera e drogës së sekuestruar llogaritet mbi 100 milionë dollarë. Hetuesit zbuluan gjithashtu se Didani dhe bashkëpunëtorët e tij kishin planifikuar ndërtimin e një droni nënujor (“underwater drone”) për transport droge. Pajisja do të vendosej poshtë anijeve tregtare dhe do të lëshohej pranë brigjeve të Evropës, ku do të merrej nga një anije peshkimi e kontrolluar nga organizata e tij.

Në vitet 2020 dhe 2021, autoritetet në SHBA dhe Evropë sekuestruan sasi të mëdha kokaine të lidhura me organizatën e tij. Ai u arrestua më 31 mars 2021./ZËRI

Poll

MOS HUMB