Bota

Zbulohet çfarë shkruhet në letrën që Joe Biden i la Trump në Zyrën Ovale

Në Shtëpinë e Bardhë është traditë disa vjeçare që presidenti parardhës të lërë një letër për pasardhësin e tij.

I.F
Zbulohet çfarë shkruhet në letrën që Joe Biden i la
Donald Trump

UASHINGTON- Presidenti amerikan Donald Trump ka zbuluar përmbajtjen e letrës që paraardhësi i tij, Joe Biden, i la përpara se të largohej nga Zyra Ovale. Gjatë një interviste për Fox News, Trump tregoi se letra ndodhej brenda tryezës Resolute. Në Shtëpinë e Bardhë është traditë disa vjeçare që presidenti parardhës të lërë një letër për pasardhësin e tij.

“Për Presidentin e 47-të të Shteteve të Bashkuara

I dashur President Trump,

Ndërsa largohem nga kjo zyrë e shenjtë, ju uroj ju dhe familjen tuaj më të mirat për katër vitet e ardhshme. Populli amerikan dhe e gjithë bota shikojnë nga Shtëpia e Bardhë për stabilitet në stuhitë e pashmangshme të historisë dhe është lutja ime që vitet e ardhshme të jenë një kohë prosperiteti, paqeje dhe të hareshme për kombin tonë.

Zoti ju bekoftë dhe udhëzoftë ashtu siç e ka bekuar dhe udhëzuar vendin tonë të dashur që nga themelimi i tij”, shkruhej në letër.

Ajo ishte firmosur nga parardhësi tij ish-presidenti Joe Biden më 20 janar. Përpara se ta ndante publikisht, Trump kishte komentuar më herët mbi letrën, duke përmendur se zarfi mbante numrin “47.”

“Ishte një letër shumë e bukur, një lloj frymëzimi. Më tha të gëzoja punën, të bëja një punë të mirë. Ishte shumë e rëndësishme dhe fliste për sa e rëndësishme është kjo detyrë. Ishte një gjest pozitiv nga ana e tij, dhe e vlerësoj letrën”, tha Trump.

Kjo traditë presidenciale e lënies së një letre për pasardhësin filloi në vitin 1989, kur presidenti Ronald Reagan i la një letër George H. W. Bush pas largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë. Tradita ka vazhduar me presidentët Bill Clinton, George W. Bush, Barack Obama, Donald Trump dhe Joe Biden. Katër vjet më parë, Biden e përshkroi letrën e Trump-it si një mesazh “shumë bujar,” por nuk e zbuloi kurrë përmbajtjen e saj, duke e mbajtur private. /ZËRI

Poll

MOS HUMB