BRITANI E MADHE- Zbulimi i akteve të rënda kriminale nga azilkërkuesit që qëndrojnë në hotele të financuara nga shteti ka shkaktuar një breshëri reagimesh në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas një hetimi të gjerë nga "DailyMail", të paktën 312 emigrantë janë akuzuar për 708 akte kriminale në tre vjet, duke përfshirë përdhunim, sulm seksual, sulme ndaj punonjësve të shpëtimit dhe vjedhje.
Hulumtimi, i bazuar në një analizë të dosjeve gjyqësore, u përqendrua në 70 nga gjithsej 220 hotele që strehojnë azilkërkues, mes tyre edhe shqiptarë, duke ofruar një pamje zbuluese të situatës në Angli.
Incidentet u regjistruan në hotele luksoze ose qendrore në të gjithë vendin, shumë prej të cilave ndodhen në zona turistike ose të pasura, siç janë Primrose Hill në Londër, Oxford, Bournemouth dhe Portsmouth. Raporti nxjerr në dritë gjithashtu çështje të transparencës: qeveria nuk publikon statistika mbi krimet e kryera nga azilkërkuesit dhe raportet e policisë rrallë përmendin statusin e emigracionit të të akuzuarve.
Hetimi u bazua në krahasimin e adresave të të pandehurve me 70 hotele 'mikpritëse', që do të thotë se madhësia e vërtetë e problemit mund të jetë shumë më e madhe. Përveç kësaj, zbulohet se Mbretëria e Bashkuar, nëpërmjet një operacioni sekret, ka transferuar 18,500 afganë në territorin e saj si pjesë e një misioni që pritet të kushtojë 7 miliardë paund, me disa prej tyre që kanë një histori dhune dhe krimesh seksuale.
Sekretari i Brendshëm në hije, Chris Philp, e quajti situatën "tronditëse" dhe bëri thirrje për deportimin e menjëhershëm të të gjithë emigrantëve të parregullt pa gjyq, duke sugjeruar transferimin e tyre në Ruandë ose gjetkë. Sekretari i Drejtësisë në Hije, Robert Jenrick, foli për një "situatë të sigurisë kombëtare" dhe theksoi se kërkesat për azil nuk duhet të jenë të mundura për emigrantët e paligjshëm, të cilët sipas tij duhet të mbahen të ndaluar deri në deportimin e tyre.
Aktualisht, 32,345 azilkërkues po qëndrojnë në hotele dhe 66,683 në apartamente, shtëpi dhe akomodime të tjera. Ministrja e re e Financave, Rachel Reeves, njoftoi se qeveria po kërkon të mbyllë të gjitha hotelet deri në korrik 2029. Ndërsa Ministria e Brendshme deklaroi se nuk toleron asnjë sjellje kriminale dhe zotohet se do të hetojë plotësisht të gjitha incidentet që kanë dalë në dritë./ZËRI