Bota

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, përfundon numërimi, kush fitoi

VMRO-DPMNE fiton 34 komuna, në 19 kryeson në balotazhe, ndërsa VLEN e shqiptarëve fiton 3 komuna dhe shkon në 5 balotazhe kryesore.

zh.ll
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, përfundon numërimi,
foto ilustruese

MAQEDONI E VERIUT- Partia në pushtet, VMRO-DPMNE, shpalli fitore bindëse pas rundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut. VMRO-DPMNE e udhëhequr nga Hristijan Mickoski, fitoi 34 komuna nga gjithsej 80 komuna. Në total, ka dalë në krye në 53 komuna, ndërsa në 19 të tjerat në të cilat kryeson shkon në balotazh. 

VLEN e shqiptarëve fiton 5 komuna dhe shkon në 4 balotazhe kryesore. Aleanca Kombëtare për Integrim e mbështetur nga BDI e Aliahmetit fiton 5 komuna (Vrapçishte, Gostivar, Lipkovë, Pllasnicë, Çashkë) dhe nuk shkon në balotazh. LSDM ka 3 komuna të fituara ndërsa në 5 të tjera shkon në balotazh. 

Sipas sistemit zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, kandidatët sigurojnë fitoren nëse marrin mbi 50% të votave. Nëse asnjë kandidat nuk e arrin këtë rezultat, një proces i dytë votimi do të mbahet më datë 2 nëntor. Procesi i dytë zhvillohet mes dy kandidatëve me më së shumti vota nga raundi i parë.

Procesi zgjedhor u zhvillua në 3,474 qendra votimi në të gjithë vendin, ndërsa në listën e votuesve u regjistruan 1,832,415 qytetarë me të drejtë vote. Në zgjedhje morën pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 grupe të pavarura qytetarësh, duke përfshirë gjithsej 309 kandidatë për kryetar komune dhe 576 lista për anëtarë këshillash. 

Këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga shpallja e pavarësisë së shtetit në vitin 1991. Qytetarët në Maqedoni të Veriut vuan për herë të dytë brenda më pak se dy vjetësh, pasi vitin e kaluar në prill dhe maj u mbajtën zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare./ZËRI

Poll

MOS HUMB