
SPANJË- Një qytet në Spanjën jugore është tronditur pas imazheve të zhveshura të vajzave të reja që ishin krijuar nga AI në mediat sociale, pa dijeninë e tyre. Imazhe u krijuan duke përdorur foto të vajzave, të veshura plotësisht, shumë prej tyre të marra nga llogaritë e tyre në rrjetet sociale. Fotot u përpunuan më pas nga një aplikacion, duke i ekspozuar pa rroba. Deri më tani, më shumë se 20 vajza, të moshës 11 deri në 17 vjeç, janë paraqitur si viktima të përdorimit të aplikacionit.
“Një ditë vajza ime doli nga shkolla dhe tha: “Mami po qarkullojnë foto me mua topless”, thotë María Blanco Rayo, nëna e një 14-vjeçareje.
“E pyeta nëse kishte bërë ndonjë foto të saj nudo dhe ajo tha: “Jo, mami, këto janë foto false të vajzave që po krijohen tani dhe ka vajza të tjera në klasën time që u ka ndodhur gjithashtu.'"
Policia tani po heton dhe sipas raportimeve, të paktën 11 djem vendas janë identifikuar si të përfshirë në krijimin e imazheve ose në qarkullimin e tyre nëpërmjet aplikacioneve WhatsApp dhe Telegram. Një prej vajzave u janë kërkuar para duke përdorur një imazh të rremë të saj.
Ndikimi që ka pasur qarkullimi i imazheve tek vajzat e prekura ndryshon. Blanco Rayo thotë se vajza e saj po e kalon "mirë", por se disa vajza nuk duan të dalin nga shtëpia. Almendralejo është një qytet piktoresk me një popullsi prej pak më shumë se 30,000 banorë, i cili njihet për prodhimin e ullinjve dhe verës së kuqe. Por nuk është mësuar me vëmendjen e papritur që ka sjellë ky rast, duke e bërë lajm kombëtar.
Kjo është kryesisht për shkak të përpjekjeve të njërës prej nënave të vajzave, Miriam Al Adib. Ajo është një gjinekologe që ka përdorur profilin e saj tashmë të spikatur në rrjetet sociale për ta kthyer këtë çështje në qendër të debatit publik.
“Doja të jepja mesazhin: nuk është faji yt,”- thotë Miriam Al Adib.
Edhe pse shumë nga imazhet e inteligjencës artificiale besohet se janë krijuar gjatë verës, u zbulua vetëm ditët e fundit pasi Dr. Adib postoi një video.
Të dyshuarit në këtë rast janë të moshës nga 12 deri në 14 vjeç. Ligji spanjoll nuk mbulon në mënyrë specifike gjenerimin e imazheve të natyrës intime kur përfshin të rriturit, megjithëse krijimi i një materiali të tillë duke përdorur të mitur mund të konsiderohet pornografi për fëmijë. Një tjetër akuzë e mundshme do të ishte për shkeljen e ligjeve të privatësisë. Në Spanjë, të miturit mund të përballen me akuza penale vetëm nga mosha 14 vjeç e lart.
Rasti ka shkaktuar shqetësim edhe për banorët vendas që nuk janë të përfshirë.
"Ne që kemi fëmijë jemi shumë të shqetësuar," thotë Gema Lorenzo, një grua vendase që ka një djalë, 16 vjeç dhe një vajzë, 12 vjeç.
Kjo nuk është hera e parë që një rast i tillë bëhet lajm në Spanjë. Në fillim të këtij viti, imazhet topless të këngëtares Rosalía të krijuara nga AI u postuan në rrjetet sociale. Shqetësimi është se aplikacionet si ato të përdorura në Almendralejo po bëhen gjithnjë e më të zakonshme./BBC