
FRANCË- Një alarm për sulm terrorist në Paris ka tronditur banorët në një stacion treni. Një grua duke bërtitur "Allahu Akbar" kërcënoi të hedhë veten në erë, por menjëherë policia ka hapur zjarr duke e qëlluar. Mësohet se gruaja nuk pranoi të zbatonte urdhrat e policëve dhe kërcënoi se do të hidhej në erë, duke bërë që njëri prej policëve të përdorte armën. Sipas dëshmitarëve, gruaja ishte "plotësisht e mbuluar".
Prokurorët njoftuan për mediat se policia ka nisur dy hetime. Njëri do të hetojë veprimet e gruas, veçanërisht për "kërcënimet me vdekje dhe frikën në publik", ndërsa një tjetër është për të sqaruar nëse përdorimi i armës së zjarrit nga policia ishte i justifikuar.
Franca ka qenë nën alarmin e "sulmit terrorist" që nga 13 tetori, kur një mësues në qytetin verior të Arras u qëllua me thikë për vdekje nga një ish-nxënës islamik. Niveli i alarmit për terrorizmin është rritur në Francë, për shkak të frikës se lufta dhe dhuna nga Lindja e Mesme do të përhapen në Evropë.