
MOSKË- Revista "Politico" ka bërë një vlerësim ogurzi të luftës në Ukrainë në një artikull të titulluar "Nuk do të ketë kurrë armëpushim në Ukrainë". Sipas autorit të artikullit, i cili citon qëndrimet e kreut të delegacionit rus në bisedimet e fundit në Stamboll, Rusia është e gatshme të zhvillojë një luftë të përjetshme në Ukrainë.
Vladimir Medinsky, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në rishkrimin e një kurrikule të shtrembëruar të historisë për shkollat ruse, citon Luftën e Madhe Veriore të viteve 1700-21 si një paralajmërim se vendi i tij është gati të luftojë Ukrainën për aq kohë sa të duhet për ta fituar - ose për ta detyruar vendin që t'i dorëzohet Rusisë.
"Lufta e Madhe Veriore me Suedinë zgjati 21 vjet. Por vetëm pak vjet pas fillimit të saj, Pjetri i Madh u ofroi paqe suedezëve... Çfarë iu përgjigjën suedezët? "'Jo, do të luftojmë deri sa të jetë gjallë suedezi i fundit',"- tha Medinsky në një intervistë televizive.
“Ky konflikt midis Rusisë cariste dhe Suedisë synonte dominimin në rajonin e Balltikut dhe përfundoi me humbjen e Suedisë. Putini e imagjinon veten si një rimishërim të Pjetrit të Madh. Ai madje ka një statujë bronzi të carit të shekullit të 18-të në tavolinën e tij,”- vëren Politico, duke argumentuar se Putini ndoshta beson se bisedimet e pafundme që po e shterojnë dëshirën e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të arritur një marrëveshje paqeje.
Zhgënjimi i Trumpit
Në fakt, me rastin e postimeve të fundit të Trump pas telefonatës dy-orëshe me Putinin të hënën pasdite, Politico komenton se ka një ndryshim qëndrimi nga presidenti amerikan: Në vend që të zemërohet me Putinin kokëfortë — diçka që Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy shpreson të ndodhë — Trump duket se është gati të dorëzohet dhe madje është tërhequr nga deklaratat e tij të vazhdueshme se mund ta çojë luftën drejt fundit. Ndërsa javën e kaluar Trump pranoi vendimin e Putinit për të mos u shfaqur në Turqi dhe po ashtu pranoi se lufta nuk do të mbarojë derisa të dy burrat (Zelenskyy dhe Putin) të "takohen" dhe ta zgjidhin atë personalisht. Të hënën ai nënkuptoi se, në realitet, një marrëveshje paqeje mund të negociohet vetëm midis Rusisë dhe Ukrainës "sepse ata i dinë detajet e negociatave që askush tjetër nuk i di".
Zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance përdori një ton të ngjashëm, duke thënë: Ne do të përpiqemi ta përfundojmë luftën, por nëse nuk ia dalim, përfundimisht do të themi, 'E dini çfarë?'" Ia vlen që e provuam.
Sipas Politico-s, Putini dhe bashkëpunëtorët e tij e kanë "kapur" Trumpin. Ata e kuptojnë mënyrën e tij të të folurit me zë të lartë, por humbasin interesin kur diskutimet zvarriten, siç bëri në mandatin e tij të parë me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un.
"Kremlini gjithmonë vonon dhe shtyn, një taktikë që e ka përdorur vazhdimisht kur angazhohet në negociata që nuk ka interes t'i përfundojë, përveçse sipas kushteve të veta. Prioriteti kryesor i Putin është ky: Ai nuk dëshiron armëpushim përpara se të marrë lëshime që do të nënkuptonin fundin e një Ukraine demokratike dhe të pavarur”, shkruhet në artikull, duke vënë në dukje se “vijat e kuqe” të Moskës nuk kanë lëvizur asnjë milimetër që kur Putini nisi pushtimin.
Çfarë dëshiron Rusia?
Putini dhe këshilltarët e tij kryesorë kanë theksuar me prerazi për muaj të tërë se duan garanci se Kievi nuk do t'i bashkohet kurrë NATO-s, do të mbetet gjeopolitikisht neutral dhe i paaftë të vendosë vetë për të ardhmen. Moska dëshiron gjithashtu që Krimea dhe katër rajonet lindore që ajo pretendon se janë pjesë e Federatës Ruse të njihen ndërkombëtarisht si të tilla.
Dhe deri atëherë — siç argumenton Medinsky — Rusia do të vazhdojë të zhvillojë luftë, e ndihmuar nga një administratë e Trump-it që nuk është e gatshme të ushtrojë presion mbi Putinin dhe nuk ka gjasa të vazhdojë të mbështesë ushtarakisht Ukrainën. Si Trump, ashtu edhe Vance argumentojnë se kjo është një rrëmujë evropiane dhe se Amerika nuk duhej të ishte përfshirë kurrë.
"Pra, pse duhet që Putini të shqetësohet dhe të negociojë seriozisht, kur e vetmja gjë nga e cila ka frikë është braktisja e Ukrainës nga SHBA-të nëse nuk arrihet një marrëveshje paqeje?,"-shkruhet ndër të tjera në artikullin e Politico./ZËRI