
BULLGARI- Kreu i KRU Hasan Krasniqi është arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga policia italiane nën dyshimin për trafikim të qenieve njerëzore. Krasniqi u arrestua më 19 shkurt 2024, transmeton gazeta online Reporteri.net. Ai u kap nga autoritetet bullgare me të hyrë në Bullgari, teksa udhëtonte me familjen për pushime.
Kjo pasi ka rezultuar se ish-kandidati i LVV-së për Kuvendin e Komunës së Gjakovës ishte në kërkim ndërkombëtar nga Italia për trafikim me qenie njerëzore, raporton me burime gazeta Reporteri.net. Më 22 shkurt 2024, Gjykata urdhëroi ndalimin e tij në pritje të një vendimi mbi kërkesën e autoriteteve italiane për ekstradimin e tij në Itali.
Dyshohet se Krasniqi, i cili posedon edhe një kompani që transporton pasagjerë me autobus nga Gjakova drejt vendeve evropiane, dyshohet se përmes tij ka kontrabanduar persona me dokumente të falsifikuara. Gazeta pyeti Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe autoritete të sigurisë për këtë arrestim, por deri në publikimin e lajmit, nuk kanë marrë përgjigje për të konfirmuar rastin.
Hasan Krasniqi, tre muaj pasi si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në Komunën e Gjakovës nuk mori votat e mjaftueshme për t'u zgjedhur deputet, Qeveria e Kosovës e emëroi në krye të Ujësjellësit Rajonal në janar 2022. Ligji për Ndërmarrjet Publike parasheh që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike duhet të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit./ZËRI