Bota

‘Asgjëroni deri në vdekje që të shihni Jezusin’, si kreu i kultit çoi qindra njerëz drejt vdekjes

Kreu i kultit fetar Paul Mackenzie dhe 29 persona të tjerë akuzohen për krime të rënda, si vrasja dhe tortura.

D.XH
‘Asgjëroni deri në vdekje që të shihni Jezusin’,
Paul Mackenzie

KENIA - Një udhëheqës kulti në Kenia është akuzuar për vrasje, pasi më shumë se 400 trupa u gjetën të varrosur në varre të cekëta, në një pyll të largët në lindje të vendit. Të mbijetuarit dhe familjet e viktimave kanë thënë se Paul Mackenzie u ka kërkuar ndjekësve të agjërojnë deri në vdekje, në mënyrë që të "shkojnë të shohin Jezusin".

Ai dhe 29 të tjerë u deklaruan të pafajshëm në një gjykatë në qytetin bregdetar të Malindit. Mackenzie tashmë është akuzuar për kryerjen e akteve të terrorit, mizorisë së fëmijëve dhe torturës, të cilat ai i mohoi. Policia dhe prokurorët pretendojnë se përveç urisë, disa viktima mund të jenë mbytur ose rrahur për vdekje, duke përdorur sende të mprehta.

30 të pandehurit janë akuzuar për vrasjen e 191 personave. "Unë jam ende i frikësuar prej tij", tha një e mbijetuar për BBC, kur u pyet se çfarë do t'i thoshte Mackenzie-s nëse do ta takonte ndonjëherë. “Nuk dua ta takoj kurrë”, tha 29-vjeçarja, nënë e katër fëmijëve. Neema - jo emri i saj i vërtetë - kishte qenë një ndjekëse e Kishës Ndërkombëtare të Lajmit të Mirë në Malindi, derisa ajo u mbyll në 2019.

Kur dëgjoi se udhëheqësi i saj ishte zhvendosur në Shakahola, pylli rreth 70 km (43 milje) në perëndim të qytetit, së bashku me anëtarët e tjerë të kishës, ajo e ndoqi atë atje në 2022. Shakahola është pak e populluar dhe tani nën roje policore 24 orëshe.

Autoritetet e kanë shpallur atë vend krimi dhe qasja është e ndaluar. Fillimisht, adhuruesit udhëtonin atje dhe ktheheshin në shtëpi. Por nga fundi i vitit 2022, sipas ndjekësve, ata nuk u lejuan të hyjnë aty. Neema ishte dy muajshe shtatzënë me fëmijën e saj të katërt, kur shkoi në pyll për herë të fundit. Ajo tha se ishte mbajtur kundër vullnetit të saj atje dhe gratë u përdhunuan vazhdimisht nga rojet. "Predikimi u ndal," tha ajo. "Ata thanë se tani kemi mbaruar me mësimet, ne presim vetëm të takojmë Jezusin", shtoi gruaja.

Në fillim, atyre në pyll u jepej gjysmë filxhani çaj dhe një fetë bukë në mëngjes. Ky ishte gjithë vakti për gjithë ditën. Por pas ca kohësh, Neema tha se atyre iu tha se nuk do të kishte më ushqim apo ujë. "Ne futeshim fshehurazi në shkurre dhe zgjidhnim manaferrat e egra për t'u ushqyer, kur rojet bënin pushime për të ngrënë vaktet e tyre", shtoi ajo.

Ata gjithashtu merrnin ujë nga toka dhe pinin nga duart e tyre. Kur gjithçka u bë e padurueshme, ajo thuri plan me dy shoqet e saj për të shpëtuar. Nuk ishte e lehtë për të hartuar një plan, pasi ishte e ndaluar të bisedosh në grup. Atyre iu kërkua të qëndronin të heshtur. Pritën që rojet të bënin pushimin e zakonshëm të vaktit, mbyllën derën e kasolles së tyre me mure balte, bënë një vrimë në murin e pasmë dhe vrapuan. "Ne ishim të dobëta", tha Neema. Por dëshpërimi për të shpëtuar i shtyu ata të vazhdojnë. Për fat të mirë, kur arritën në rrugën kryesore, takuan një shofer, i cili i dërgoi në spital.

Qindra persona nuk ishin aq me fat - duke përfshirë shumë fëmijë. Ata ishin grupi i parë që u identifikuan për agjërim derisa “të vdesin”, sipas të mbijetuarve. Tragjedia u përhap si lajm edhe më gjerë se Kenia, pasi të vdekurit ishin me qindra./ZËRI/

Poll

MOS HUMB